DW: PD humb zgjedhjet e 25 Prillit, kërkohet dorëheqja e Lulzim Bashës

Partia Socialiste (PS) ka fituar zgjedhjet parlamentare 2021 që u zhvilluan të dielën e kaluar, më 25 Prill. Të mërkurën, (28.04) filloi faza e dytë e procesit të numërimit të votave ajo për kandidatët për deputetë.

Sipas të dhënave nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, (KQZ) PS ka fituar 49 përqind të votave, që përkthehet në 74 mandate deputetësh në Parlamentin prej 140 vendesh. Kundërshtarja e saj, Partia Demokratike, (PD)  ka fituar 39 përqind, që përkthehet në 59 mandate, Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI) 4 mandate dhe Partia Social-Demokrate, (PSD) 3 mandate. Partitë e reja nuk kanë kapur pragun për të patur përfaqësuesit e tyre në Parlament.

Fitorja e PS, me mbi 50 përqind të 140 vendeve në Parlamentin e ri i jep asaj  mandatin e tretë qeverisës rradhazi për të qeverisur e vetme, pa qënë e detyruar të bëjë aleancë me 3 forcat e tjera politike që do të përfaqësohen në Parlament.

Përkrahës të Partisë Socialiste festojnë fitoren duke shkelur kufizimet e pandemisë
Në festimin e fitores në sheshin Skëndërbe, në mbrëmjen e të martës, (27.04,) me mijëra mbështetës të PS, që thyen masat kufizuese të pandemisë, kryetari i PS dhe kryeministri Rama, e cilësoi mandatin e tretë qeverisës “mandat të megaprojektit kombëtar”.

“Shqipëria e kësaj dekade, të bëhet kampione e Ballkanit në turizëm dhe agro-turizëm. Me 4 porta nga qielli dhe 4 nga deti që Shqipëria mund t’i hapë në 5-6 vitet e ardhshme,” tha ai duke nënkuptuar aeroportet dhe portet e reja dhe ftoi PD të bashkëpunojë për të realizuar këtë megaprojekt kombëtar.

Kërkohet dorëheqja e Lulzim Bashës

Humbja e zgjedhjeve është e treta herë rradhazi për PD, partinë më të madhe në opozitë. Kryetari i saj, Lulzim Basha pranoi mbrëmë humbjen dhe deklaroi se “do të vazhdojë luftën për demokracinë”. Ai akuzoi socialistët për manipulim të procesit zgjedhor.

Burime zyrtare nga KQZ bëjnë me dije se Sekretari për Çështjet Zgjedhore në PD, Ivi Kaso, ka kërkuar zyrtarisht nga KQZ të vërë në dispozicion të PD, teknologjinë e nxjerrjes së rezultateve në procesin e numërimit të votave dhe ka vënë në dukje “parregullsitë serioze në fazën e numërimit” të konstatuara nga vëzhguesit e PD.

Në PD, mbrëmë,(27.04) dolën zërat e parë që nuk presin t’u vihen në dispozicion këto të dhëna por kërkojnë që tani dorëheqjen e kreut të PD, Lulzim Basha. Ish-Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, kryetar i Këshillit Kombëtar të PD, e cilësoi Bashën mbrëmë, (27.04 si “shembullin e paaftësisë dhe modelit që po e asgjëson PD pak nga pak”.

Përmes një postimi në median sociale, Nishani kërkoi që “Basha të marrë  përgjegjësinë e dështimit të tij personal prej 8 vitesh dhe ta lërë të lirë PD për t’u ringritur.” Edhe anëtari i Kryesisë së PD, Fatbardh Kadilli, kërkoi gjithashtu dorëheqjen e Bashës. Në një postim në median sociale, ai theksoi që “PD nuk ka kohë për të humbur. Përpara shqiptarëve kemi misionin për një opozitë të re!”, dhe vuri kandidaturën në garën për kryetarin e ri të PD.


Shtuar 28.04.2021 09:58