Ministri serb ironizon Scholz: Le ta njohim Kosovën e të ndihmojmë në krijimin e një Shqipërie të Madhe

Ministri i Brendshëm serb, Aleksandar Vulin, në një reagim për median serbe pro qeveritare, “Veçernje Novosti” ka komentuar deklaratën e Kancelarit gjerman Olaf Scholz i cili është shprehur se Serbia duhet ta njohë Kosovën nëse dëshiron të anëtarësohet në Bashkimin Europian.

Duke përdorur ironinë, ministri serb ka thënë se Beogradi duhet të njohë Kosovën e për pasojë të mundësojë edhe krijimin e Shqipërisë së Madhe.

“Nëse nuk jemi të interesuar ta mbrojmë Kosovën, atëherë të njohim Kosovën dhe të ndihmojmë në krijimin e një Shqipërie të Madhe. Nëse nuk na interesojnë 800.000 serbë që jetojnë atje dhe forca e të cilëve mund ta përtërijë Serbinë, pastaj ta dorëzojmë Republikën Serbe fatit që ajo të turqizohet.

A kemi zgjedhje, a na kanë lënë të zgjedhim të preferuarit tonë perëndimorë? Nuk kemi kah përveç të mbijetojmë”, ka pretenduar Vulin.

I pyetur se si e ka përjetuar rezolutën e PE-së për Serbinë, e cila thotë se nuk do të hapë asnjë kapitull derisa Beogradi të vendosë sanksione ndaj Rusisë dhe nëse është koha për të hequr dorë nga integrimi evropian, Vulin tha se Serbia nuk hoqi dorë nga BE-ja, por BE hoqi dorë nga Serbia.

Si një nga mbështetësit më të mëdhenj të presidentit Aleksandër Vuçiç, Vulin ka thënë se tani kusht i ri për afrimin në BE është njohja e pavarësisë së Kosovës.

“Tani, në mënyrë që të zvarritemi drejt BE-së pak më shpejt, na duhet të njohim Kosovën dhe të ndërpresim të gjitha lidhjet me Rusinë, dhe të mos harrojmë se duhet të njohim edhe gjenocidin në Srebrenicë.

Dhe gjithë kjo kërkohet që nga pozita e qëndrimit të kalojmë në zvarritje, as nuk mund të paramendojë se çfarë do të kërkojnë që të ecim drejt si njerëz. Sikurse Serbia nuk është provincë ruse, ashtu nuk duhet të jetë as komisariat apo protektorat i BE-së”, përfundoi Vulin./albeu.com