Ka nisur me mos dakordësi Konferenca e Kryetarëve ditën e sotme. Ndërkohë që pritet të vendoset për raundin e radhës për presidentin, Enkelejd Alibeaj u shpreh se janë të interesuar vetëm për pikën 3 të rendit të ditës, që ka të bëjë me ngritjen e Komisionit Hetimor për investimet strategjike. Kjo u kundërshtuar nga Taulant balla, i cili tha se nuk mund të ndryshojnë rendin e ditës.
Enkelejd Alibeaj: Interesi ynë ka të bëjë vetëm për ngritjen e komisionit hetimor për investimet strategjike. Gjithmonë është ndjekur praktika që për veprimtarinë normale të parlamentit ka qenë një urdhër i dhënë nga kryetarja. Ndërsa për veprimtarinë e presidentit ka qenë një urdhër tjetër i posaçëm. Ju i keni bashkuar në një. Ne kemi interes vetëm për pikën 3.
Taulant Balla: Nuk ka një praktikë të tillë. Përveç rendit të ditës të përcaktuar është bërë një urdhër nga kryetarja për të përfshirë edhe vendimmarrjen për raundin e radhës. Kjo nuk do të thotë që duke qenë se rendi i ditës që është ekskluzivitet është përcaktuar si më poshtë dhe një anëtar thotë që nuk jam dakord se nuk ka këtë praktikë. Rendi i ditës është ky. Në rast se një anëtar nuk ka interes të marrë pjesë nuk është çështje. Unë mendoj se duhet të vazhdojmë me rendin e ditës.
Sa i takon zgjedhjes së presidentit, në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve pritet që të vendoset raundi i katërt, pas dështimit të tre të parëve pa një emër për votim.
Me ezaurimin e tre raundeve të para dështoi edhe mundësia për të zgjedhur një president konsensual. Presidenti i ardhshëm i pesë viteve duket se do të vijë nga votat e socialistëve në Kuvend.
Kujtojmë se me ndryshimet kushtetuese të vitit 2008 presidenti zgjidhet në raundet e fundit vetëm me 71 vota, duke mos kërkuar kështu konsensus të detyruar.