Më shumë detaje kanë dalë në dritë në lidhjen me ngjarjen e rëndë në Teksas, ku një 18-vjeçar vrau me armë zjarri 19 nxënës të një shkolle fillore dhe dy mësuese.
Mësohet pasi ai ka arritur në shkollë. Salvador Ramos është futur në një klasë, ka mbyllur derën dhe ka filluar të qëllojë mbi fëmijët dhe mësuesit që ndodheshin brenda, sipas një zyrtari për CNN.
Christopher Olivarez i Departamentit të Sigurisë Publike të Teksasit tha se “Të gjithë të vrarët ishin në të njëjtën klasë”.
Në të njëjtën kohë, një tjetër oficer policie që foli në mënyrë anonime për Associated Press raportoi se agjentët e Patrullës Kufitare që mbërritën në vendngjarje kishin vështirësi të thyenin derën e dhomës dhe duhej të kërkonin çelësin e klasës nga një anëtar i stafit të shkollës për të hyrë brenda.
Sipas drejtorit të Departamentit të Sigurisë Publike, Steve McGraw , kanë kaluar “rreth 40 minuta” nga momenti kur Ramos hapi zjarr ndaj oficerit të sigurimit të shkollës, deri në momentin kur autori ra i vdekur nga plumbat e policisë.
Vrasësi 18-vjeçar, i cili vrau 19 fëmijë dhe dy mësuese, qëndroi në shkollë për më shumë se 40 minuta , ndërsa personat e mbledhur jashtë në mënyrë të dëshpëruar i kërkuan policisë që të hynte në godinë dhe ta ndalonte.
Babai i një prej fëmijëve të vdekur akuzon autoritetet se kanë vonuar mbërritjen në vendngjarje.
Javier Casares vrapoi në shkollën e vajzës së tij Jackie, sapo ka dëgjuar për të shtënat dhe kur ka mbërritur ka parë forcat e mbledhura të policisë jashtë. Ndërsa shikonte me ankth teksa policët dhe agjentët qëndronin jashtë ndërtesës, ai u kërkoi qytetarëve dhe prindërve të tjerë që ishin aty të vepronin vetë.
“Na lejoni të hyjmë sepse policia nuk po bën asgjë”, u tha ai, ndërsa ankthi i tij për fëmijën i shtohej. Kjo, natyrisht, nuk ishte e mundur.
“Mund të kishte pasur më shumë… Ishin të paktën 40 oficerë policie të armatosur si karavidhe, por ata nuk bënë asgjë derisa ishte tepër vonë” , tha për median ABC Neës babai i 10-vjeçarit, i cili u qëllua për vdekje nga Ramos.
Pas të shtënave të para në shkollë, policia e zonës Uvalde, policia e shtetit dhe agjentët e Shërbimit të Rojës Kufitare, janë nisur drejt shkollës. Përfundimisht, vetëm katër nga 80 agjentë hynë në ndërtesë dhe vranë Ramos, sipas një zyrtari lokal.
Kreu i Patrullës Kufitare të SHBA-së, Raoul Ortiz, sqaroi megjithatë se agjentët “nuk hezituan” kur u thirrën në vendngjarje pas goditjes së parë . Ata bënë një plan, hynë në klasë dhe neutralizuan autorin “aq sa mundën”, tha Ortiz për CNN./albeu.com