Gjykatësi, magjistrati, heroi anti-mafia italian Giovanni Falcone u vra më 23 maj 1992, në atë që njihet si masakra e Capaci-t, ku makina me të cilën po udhëtonte me gruan dhe tri truprojat personale e tij, përmbante gjysmë toni eksploziv.
Që nga ai moment Falcone është simboli italian i luftës ndaj mafias, së bashku me mikun dhe kolegun e tij Paolo Borsellino, i cili po ashtu pas disa muajsh u vra nga mafia.
Falcone ishte njeri më i palëkundur në përndjekjen dhe luftimin kundër rrjetit më të dhunshëm dhe famëkeq të mafias në Sicili, të quajtur Cosa Nostra. Metodat e tij inovative hulumtuese ende përdoren për të gjurmuar dhe identifikuar krimin e organizuar.
Ëndrra e Falcones ishte një botë e sigurt dhe e mirë. Një botë ku shoqëria e çrrënjosë kancerin e saj, krimin e instaluar në kokë që infekton të gjithë trupën shoqërore. Sigurisht se kura është ligji, respekti i ndërsjellë dhe jeta e ndershme.
“Hollivudi duhet të ndalojë së portretizuari Mafian si një vëllazëri të ndershme, romantike dhe origjinale, dhe të tregojë fytyrën e saj të vërtetë: si organizatë të dhunshme, të rrezikshme, që nuk hezitojnë të vrasin më të mirët ndër ne, ata që u zënë rrugën. Këtë e treguan më së miri me vrasjen e Giovanni Falcones. Shpresoj që vrasja e tij nuk do të jetë për asgjë”, kështu shkroi ish-ambasadori amerikan në Itali, Peter Secchia, në korrik të vitit 1992.
Vdekja e Falcones ishte në faqet e para të gazetave evropiane. Funerali i tij u shfaq në televizion në mbarë Italinë. Dhjetëra mijëra njerëz e përcollën gjykatësin sicilian nëpër rrugë për në varrim.