Policia Rrugore e Tiranës ka publikuar pamjet e disa momenteve kur ka konstatuar shkelje të rregullave të qarkullimit në rrugë nga shoferët.
Gjatë javës që lamë pas, Policia Rrugore e Tiranës thotë se në 11 raste, shoferët kanë tentuar të korruptojnë efektivët me qëllim shmangien e gjobave.
Në pranga mësohet se kanë rënë gjithsej 42 persona për drejtim mjeti në gjendje të dehur apo pa leje drejtimi, për mitëdhënie dhe për shkelje të tjera.
Ndërsa 194 leje drejtimi janë pezulluar, për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit, për shpejtësi tej normave të lejuara dhe për shkelje të tjera të Kodit Rrugor.
Janë vendosur 6.687 masa administrative, me një mesatare 930 gjoba në ditë, konkretisht për drejtim mjeti nën ndikimin e pijeve alkoolike, për parakalime të gabuara, për përdorim të aparati celular, për mosvendosjen e rripit të sigurimit, për shpejtësi tej normave të lejuara, për shkelje të semaforit, për mosdhënie përparësise këmbësorëve, për xhama të zinj, për mosvendosjen e kaskës mbrojtëse, për qëndrime të gabuara etj, bën me dije policia.