Ka shkuar në tre numri i të arrestuarve nga policia në kuadër të operacionit “Volloder” në Sarandë.
Në prangat e policisë ka rënë edhe shtetasi Klodian Omeri, 29-vjeç i shpallur në kërkim.
Mësohet se 29-vjeçari e kishte dhënë me qira një magazinë shtetasit K.M, i cili më pas e kishte përshtatur atë si një ambient për kultivimin në kushte laboratorike të bimëve narkotike kanabis.
Njoftimi i policisë:
Sarandë
Vijon operacioni policor i koduar “Volloder”.
Shkon në 3 numri i personave të arrestuar.
Kapet dhe vihet në pranga një shtetas i shpallur në kërkim në kuadër të këtij operacioni, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Kultivim i bimëve narkotike” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike”.
Specialistët e Seksionit të Hetimit të Narkotikëve dhe Trafiqeve në DVP Vlorë, në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim dhe vënien e tyre para përgjegjësisë ligjore, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative, për vendndodhjen e një shtetasi të shpallur në kërkim gjatë operacionit policor të koduar “Volloder”, bënë kapjen dhe ndalimin e shtetasit:
– K. O., 29 vjeç, banues në lagjen “Gjashtë”, Sarandë, të cilit Gjykata e Shkallës së Parë Vlorë i ka caktuar masën e sigurimit personal “Arrest në burg”, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Kultivim i bimëve narkotike” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike”.
Shtetasi K. O. ishte shpallur në kërkim, pasi në fshatin Nivicë, Sarandë, i kishte dhënë me qira një magazinë, shtetasit K. M., i cili e kishte përshtatur atë si një ambient për kultivimin në kushte laboratorike të bimëve narkotike cannabis sativa.
Vijon puna për kapjen e shtetasit K. M.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.