28 miliardë lekë do të jepen nga qeveria për të përballuar rritjen e çmimeve të energjisë elektrike.
Kjo është bërë e ditur nga ministrja e Ekonomisë Delina Ibrahmiaj në komisionin e Ekonomisë, ku po shqyrtohet buxheti për të përballuar krizën e rritjes së çmimeve.
Ibrahimaj mes të tjerash është shprehur se shpenzimet buxhetore jo prioritare janë shkurtuar me 16 miliardë lekë, ndërsa rritja ekonomike do të jetë më e ulët se 4.2% në këtë vit për shkak të goditjes së çmimeve.
Komisioni i Ekonomisë po diskuton rishikimin e buxhetit për paketën e rezistencës sociale.
“Shpenzimet buxhetore jo prioritare janë shkurtuar me 16 miliardë lekë. 28 miliardë lekë për të përballuar rritjen e çmimeve të energjisë elektrike. Presim rritje të të ardhurave me 10 miliardë lekë. Rritja e inflacionit do të sjellë një kërkesë më të ulët të konsumit. Rritja ekonomike do jetë më e ulët se 4.2% në këtë vit për shkak të goditjes së çmimeve” tha Ibrahimaj mes të tjerash.