Shpeshherë na thonë: duhet të hani ngadalë. Por edhe pse jemi të gjithë dakord se është më e shëndetshme të hahet ngadalë sesa nxitojmë për të mbaruar ngrënien, të paktë janë ata që e bëjnë një gjë të tillë. Ja disa të mira që ndoshta do t’ju bindin për të ulur shpejtësinë e ngrënies:
Të hahet ngadalë për të ngrënë më pak
Kjo është arsyeja që përmëndet më tepër: në rast se hahet ngadalë, i jepet trupit mundësia për të kapur sinjalin e ngopjes që na e dërgon truri. Thuhet se ky sinjal kërkon 15 deri në 20 minuta kohë për t’u dhënë. Por zakonisht ne e boshatisim pjatën shumë më shpejt se kaq dhe kur ndjehemi të ngopur, është tepër vonë.
Duke u kushtuar vakteve tona 25 deri në 30 minuta kohë, ngopja ndjehet në kohë. Sipas disa studimeve të kohëve të fundit, ngrënia e shpejtë shton rreziqet e obezitetit.
Të hahet ngadalë për të shuar urinë
Shqetësimi ynë i përjetshëm për trupin e hollë, shqimet e lehta “të mira” e “të këqia” si dhe vitet e kushtëzimeve në ngrënie na kanë bërë të humbasim kontaktin me sinjalet themelore biologjike: urinë dhe ngopjen. Shpesh ne hamë për hir të zakonit, në mënyrë automatike.
Duke ngrënë me qetësi, i japim kohë vetes të dëgjojmë sinjalet që na dërgon trupi. Kështu që, duke mësuar të dëgjojmë këto sinjale bazë, ndoshta do ta kuptojmë, për shëmbull, që mund të shtyhet ora e ngrënies së mëngjesit, që kemi nevojë për një ngrënie të lehtë përpara mesditës, që i ngarkojmë së tepërmi pjatat tona.
Të hahet ngadalë për të përmirësuar tretjen
Tretja fillon në gojë, me veprimin e pështymës. Duke ngrënë ngadalë, ushqimet përtypen më mirë dhe hamë në qetësi. Përtypja dhe qetësia janë dy faktorë që përmirësojnë tretjen e ushqimit
Të hahet ngadalë për të medituar
T’i kushtohet vëmendje e plotë momentit të ngrënies. Të jemi të ndërgjegjshëm për sensacionet, shijet, aromat. Në meditim kjo gjë quhet ndërgjegja e plotë. Meqënëse duhet ngrënë mirë, përse të mos hamë për 30 minuta në një oaz qetësie në ditët tona tepër të ngarkuara? Shuajmë radion, televizorin dhe i kushtojmë gjithë vëmendjen tonë ushqimit.
Të hahet ngadalë për t’u lidhur me të afërmit
Mund të rikthejmë traditën e ngrënies në familje në kohët moderne. Ndërkohë që mbaroni së përtypuri, lini në tryezë pirunin dhe pyesni për të rejat e fundit. Të qeshurat, bisedat dhe intimiteti familjar do të kthehen përsëri.
Ju bëftë mirë!