Nëntë administratorë të Call Centerave janë proceduar penalisht për veprat penale të “Mashtrimit”, “Fshehjes së të ardhurave” dhe “Mospagimit të taksave dhe tatimeve”.
Ata u proceduan penalisht në kuadër të një operacioni të koduar ‘Nine’, i zhvilluar nga Seksioni i Krimit Ekonomik në Bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës.
Njoftimi i Policisë:
Finalizohet operacioni policor i koduar “Nine”.
Operacioni i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë.
Procedohen penalisht administratorët e 9 subjekteve call center, për veprat penale “Mashtrimi”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, pas një pune të mirëfilltë hetimore, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Nine”, në kuadër të të cilit u proceduan penalisht shtetasit:
– A. R., 52 vjeç, A. D., 27 vjeç, S. D., 26 vjeç, F. K., 28 vjeç, B. K., 29 vjeç, K. O., 26 vjeç, I. S., 34 vjeç, O. M., 54 vjeç, dhe K. T., 26 vjeç për veprat penale “Mashtrimi”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”.
Nga veprimet hetimore ka rezultuar se këta shtetas, duke shfrytëzuar punën e tyre si administratorë dhe menaxherë në disa call center-a të ndryshëm në qytetin e Tiranës, dyshohet se mashtronin shtetasit e huaj, kryesisht nga vendet e BE-së, që të investonin në bursë.
Vijon puna për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie të kundërligjshme dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në të.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale./albeu.com/