Ashtu siç edhe ishte paralajmëruar, në hyrje të Bulevardit të qytetit të Beratit, ka nisur protesta kundër rritjes së çmimit të naftës, ushqimeve, taksave etj.
Qindra qytetarë beratas i janë duke ju bashkuar kësaj proteste paqësore, e cila do të nisë me një marshim drejt Prefekturës së qarkut Berat dhe bashkisë së qytetit. Sipas organizatorëve, gjatë marshimit mendohet se protestuesit do të bllokojnë edhe rrugën kryesore drejt qendrës së qytetit.
“Të bashkohen edhe ata që bëjnë sehir, për shkak të emocioneve, turpit apo frikës. Frikë është të vdesësh nga mjerimi, jo ta refuzosh mjerimin. Ju lutem bashkohuni. Protestat janë ilaçi i mjerimit”, thotë një qytetar me megafon.
Kujtojmë se sot është dita e tretë e protestës. Ndryshe nga dy ditët më parë që protestat kanë nisur në orën 17:00, sot në Tiranë dhe disa qytete të tjera ka pasur protesta.
Kujtojmë se protestat kanë dhënë efektin e tyre të parë. Çmimi i naftës nga 260 lekë që ishte për litër, ka zbritur në 225 lekë./albeu.com