Shqipëria mbetet në listën gri të Komisionit Europian për pastrimin e parave

Shqipëria ka mbetur në listën e vendeve me monitorim të shtuar, të ashtuquajturën lista gri, e pastrimit të parave, edhe pas rifreskimit të fundit në mars 2022.

Seanca plenare e Task Forcës për Veprim Financiar (FAFT), një mekanizëm i Komisionit Europiaan për parandalimin e pastrimit të parave, në fillim të marsit la në listë Shqipërinë, ndërsa nxori nga lista e vendeve me monitorim të shtuar Zimbabvenë ndërkohë që bëri pjesë të saj një tjetër vend siç janë Emiratet e Bashkuara Arabe.

Në lisën gri përfshihen juridiksionet që kanë mungesa strategjike në parandalimin e pastrimit të parave dhe krimit të organizuar dhe rrezik të lartë si dhe janë nën monitorim të shtuar. Shqipëria, Malta dhe Turqia janë të vetmet vende të Europës në listën gri.

Duke bashkëngjitur listën e juridiksioneve ku bën pjesë dhe vendi ynë FAFT ka nënvizuar se “juridiksionet nën monitorim të shtuar po punojnë në mënyrë aktive për të adresuar mangësitë strategjike në regjimet e tyre për të luftuar pastrimin e parave, financimin e terrorizmit. Kur FATF vendos një juridiksion nën monitorim të shtuar, kjo do të thotë se vendi është angazhuar të zgjidhë me shpejtësi mangësitë strategjike të identifikuara brenda afateve kohore të dakordësuara dhe i nënshtrohet kontrolleve shtesë. Në përputhje me procedurat fleksibël të miratuara në shkurt 2021 për të lejuar FATF të vazhdojë programin e saj të monitorimit në dritën e pandemisë COVID-19, FATF ka përditësuar deklaratat e saj për vendet në shqyrtim”.

Në shkurt të vitit 2020 Shqipëria u rikthye në listën gri të vendeve që paraqesin rrezik për pastrimin e parave për shkak të deficencave strategjike të gjetura nga Task Forca për Veprim Financiar.

Në seancën plenare që zgjati disa ditë FAFT është ndalur tek disa nga iniciativat strategjike që lidhen me riskun e pastrimit të parave duke vendosur të parat rregullat për të ndjekur pastrimin e parave nga pronësia përfituese apo ndryshe të njohura si kompanitë guackë. Task Forca tha se vendet do të forcojnë më shumë rregullat për të parandaluar pastrimin e parave nga grupe që fshehin paratë e pista në struktura korporatash.

Një tjetër element në vëmendje ishte rritja e riskut për pastrim parash dhe financim terrorizmi nga futja ilegale e emigrantëve.

E treta është një qasje e bazuar në risk sa i takon mbikëqyrjes së shit-blerjes së pasurive.

“Pasuritë e paluajtshme janë një zgjedhje popullore dhe e qëndrueshme për investime. Keqbërësit që dëshirojnë të pastrojnë pasuritë e tyre të paligjshme shfrytëzojnë sektorin e pasurive të paluajtshme. Si rezultat, profesionistët e pasurive të paluajtshme kanë një rol të rëndësishëm në parandalimin e keqbërësve nga keqpërdorimi i sektorit të pasurive të paluajtshme për pastrim parash ose financim terrorizmi.

Megjithatë, aktualisht sektori i pasurive të paluajtshme në përgjithësi ka një kuptim të dobët të rreziqeve ndaj të cilave ata janë të ekspozuar, sipas rezultateve të shumicës dërrmuese të vlerësimeve të ndërsjella të raundit të katërt” thuhet në deklaratën e FAFT.

Futja në listën gri

Në shkurt të vitit 2020 Shqipëria u fut sërish në listën gri të pastrimit të parave, nga e cila kishte dalë në vitin 2015. Sipas rekomandimeve të vitit 2020 Shqipëria duhet të punonte për të zbatuar planin e saj të veprimit, duke përfshirë:

(1) kryerjen e një analize shtesë të thelluar për të kuptuar sa duhet pastrimin e parave dhe rreziqet e tjera, dhe forcimin e koordinimit dhe bashkëpunimit institucional;

(2) përmirësimin e trajtimit në kohë të kërkesave për ndihmë juridike të ndërsjellë;

(3) krijimi i mekanizmave efektiv për zbulimin dhe parandalimin e infiltrimit kriminal të ekonomisë, përfshirë forcimin e kompetencave të autoriteteve kompetente për të ndërmarrë veprimet e nevojshme;

(4) duke siguruar që informacionet e sakta dhe të azhurnuara të pronësisë janë të disponueshme në baza në kohë;

(5) rritja e numrit dhe përmirësimi i sofistikimit të ndjekjeve penale dhe konfiskimeve për pastrimin e parave, veçanërisht në rastet që përfshijnë vepra kallëzuesish të huaj ose pastrim parash të palëve të treta;

(6) përmirësimi i zbatimit të sanksioneve financiare të synuara, veçanërisht përmes veprimit të zgjeruar mbikëqyrës dhe afrimit të synuar, proaktiv.

Këto detyra shfaqen ende në përshkrimin që bëhet për Shqipërinë.

Task Forca Financiare (FATF) e MONEYVAL është një mekanizëm i përhershëm i Këshillit të Europës që ka detyrën të vlerësojë zbatimin e standardeve në luftën kundër pastrimit të parave dhe krimit të organizuar. Në këtë listë përfshihen juridiksionet që kanë mungesa strategjike në parandalimin e pastrimit të parave dhe krimit të organizuar dhe rrezik të lartë si dhe janë nën monitorim të shtuar.

FATF identifikon juridiksionet me masa të dobëta për të luftuar pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit (AML / CFT) në dy dokumente publike FATF që publikohen tre herë në vit. Procesi i FATF për të renditur publikisht vendet me regjime të dobëta AML / CFT ka rezultuar i efektshëm./N.Maho /Monitor

 


Shtuar 11.03.2022 08:32