Dhimbja e kokës mund të prekë praktikisht çdo njeri në një moment të caktuar të jetës. Edhe njerëzit më të shëndetshëm janë të familjarizuar me shqetësimin që gjeneron dhimbja e kokës. Në shumicën e rasteve dhimbja e kokës e ka një shkak të qartë dhe të kuptueshëm siç është dehidrimi, sindromi premenstrual, mungesa e gjumit, ose një gjendje virale apo gripale. Një dhimbje koke tensive zakonisht shkaktohet nga puna e tepërt, shqetësimet dhe streset e shumta, duke ditur që stresi i tepërt tensionon muskujt, i kontrakton ato duke pakësuar fluksin e gjakut në qafë dhe në kokë. Dhimbja e kokës e tipit “cluster”, përshkruan një gjendje në të cilën ju perceptoni një dhimbje të fortë, të thiktë për një kohë të shkurtër si për shembull, për një javë, që pasohet nga periudha të gjata pa dhimbje koke. Kjo dhimbje koke zakonisht ka komponentë gjenetikë, ose mund të shpërthejë nga faktorë të jashtëm si disa barna, apo konsumi i alkoolit.
Një kokë e dhimbshme është një vuajtje e vërtetë
Kur je në mes të një krize të dhimbjes së kokës, edhe gjërat më të thjeshta për t’u kryer mund të kërkojnë shumë mundim. Dhimbja e kokës është tërësisht e papërshtatshme në respektimin e një afati kohor për të përfundur një punë, apo kur duhet të kryeni aktivitete shumë të profilizuara. Gjatë dhimbjes së kokës është vështirë të mbahet përqëndrimi dhe ju mund të jeni shumë të ndjeshëm ndaj zhurmave, dritave të forta; kështu që sallat e konferencave apo të eventeve të ndryshme janë vërtet vendi më i papërshtatshëm për t’u përpjekur t’ju kalojë dhimbja. Edhe në rast se gjendeni në shtëpi, i rrethuar nga përkujdesjet e familjarëve tuaj, një dhimbje koke konstante e ka aftësinë t’ju bëjë të ndiheni keq dhe i padisponueshëm. Ju mund të mos jeni në gjendje të punoni, apo të përqëndroheni, aq sa edhe të parit e televizorit mund t’ju rezultojë e vështirë. Për rrjedhojë, një ide e mirë është të dini mënyrat sesi të merreni me këtë problem dhe si të lehtësoni në mënyrë efikase dhimbjen e kokës.
Si mund të lini pas një dhimbje koke? (Lehtësimi i dhimbjes së kokës)
Disa njerëz janë më të prirur për të pasur dhimbje koke në krahasim me të tjerë, por gjithsesi dhimbja e kokës nuk duhet të jetë aq e frikshme sa duket. Një masë lehtësuese e mirë është të shkoni në krevat dhe të mundoheni të flini. Shumica e njerëzve pasi zgjohen nga gjumi, kuptojnë se dhimbja e kokës iu ka kaluar. Ju duhet të konsumoni gjithashtu shumë ujë, për t’u siguruar që dehidrimi nuk po kontribuon në dhimbjen e kokës. Afatgjatë, ju mund të ndërmerrni ndryshime në stilin tuaj të jetesës për të përmirësuar gjendjen tuaj psiko-fizike e cila mund t’ju ndihmojë të parandaloni dhimbjet e kokës. Masat që mund të merrni janë të reduktoni orët e punës tuaj apo të pakësoni sasinë e kafes, ose të alkoolit që mund të konsumoni.
Megjithatë, ka raste kur zënia e gjumit rezulton e pamundur dhe ju mund të mos e keni luksin të prisni për efektet që mund të vijnë nga ndryshimet në stilin e jetesës. Nën stresin e një afati kohor që duhet të respektoni në punë, mund t’ju nevojitet të vazhdoni punën pa ndërprerje, pavarësisht dhimbjes së kokës. Në rast se ju vuani shpesh nga dhimbjet e kokës, këshillohuni me mjekun tuaj për t’u siguruar që kjo nuk është shenja e një problemi më serioz. Për personat që janë thjesht të mbingarkuar me punë, mjeku kurues mund të rekomandojë barna analgjezikë antiinflamatorë.