Ukraina ka pranuar të ulet në bisedime me Rusinë në kufirin me Bjellorusinë.
Lajmin e bëri të ditur presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, përmes një postimi në faqen e tij në Facebook.
Vendimi për negociatat vjen pas telefonatës së Zelenskyt me presidentin bjellorus Aleksandër Lukashenko.
Lukashenko ka marrë përsipër që të sigurojë se askush nuk do të sulmojë gjatë kohës së negociatave.
“Rezultati i bisedës me Aleksandër Lukashenkon.
Kemi rënë dakord që delegacioni ukrainas të takohet me atë rus pa kushte paraprake në kufirin ukraino-bjellorus, në zonën e lumit Pripyat.
Aleksandër Lukashenko mori përgjegjësinë për faktin se në momentin e nisjes, negociatave dhe kthimit të delegacionit ukrainas, të gjithë avionët, helikopterët dhe raketat e vendosura në territorin bjellorus do të mbeten në tokë”, ka shkruar presidenti ukrainas në faqen e tij në Facebook.