Ademi i përgjigjet ashpër Ramës: Që je komunist e tregove sot në Shkodër!

“Nga Shkodra do të vijë humbja që e ke merituar si askush tjetër në këtë vend!”

Pas sulmeve politike të kryeministrit Rama nga Shkodra, ka reaguar po aq fortë edhe kryetarja e bashkisë Shkodër, Voltana Ademi.

POSTIMI

Apologjia e humbjes e një individi të pashpresë!

Pas 8 viteve persekutim të Shkodrës, pranuar edhe me gojën e tij, nuk e kupton akoma pse nuk e duan shkodranët, pse nuk e kanë votuar dhe nuk do ta votojnë jo vetëm me #25Prill por asnjëherë!

Sot nga Shkodra, iu kthye “humorit të zi”, duke i kujtuar persekucionin komunist, djali i atij që firmosi varjen në litar të një shkrimtari si Havzi Nela!

Po, ti je komunist dhe e demonstrove sot atë para Shkodrës, e cila të njeh dhe ta ka dhënë përgjigjen ashtu siç e ke merituar!

Po, ne jemi antikomunistë! Kemi qenë e do të jemi sepse kemi lindur të lirë dhe kështu do të qendrojmë! Diversionet e ulta në Shkodër, fryma e përçarjes që kërkon të mbjellësh do të jetë fillimi i ndëshkimit tënd nga shkodranët e shqiptarët me #25Prill. Për 45 vite i rezistuam diktatorit komunist dhe për 10 ditë, do të bëjmë të dorëzohet edhe Edveri!

Ti as nuk e ke njohur e nuk do ta njohësh kurrrë Shkodrën. Ti nuk e ke vlerësuar dhe nuk mund ta vlerësosh kurrë atë, edhe pse rrekesh të gjesh lidhje në këtë qytet. Duke i përmendur, vetëm i ndot ata, kontributin dhe kujtimin e tyre në këtë qytet.

Ora jote po pushon, po ndalet! Pas 10 ditëve ti do të jesh thjesht një pensionist në politikë. Nga Shkodra do të vijë humbja që e ke merituar si askush tjetër në këtë vend! /albeu.com/