Kosova sanksionon individë dhe entitete bjelloruse

Qeveria e Kosovës ka sanksionuar 183 individë dhe 26 entitete të Bjellorusisë, që janë të lidhur me regjimin e udhëheqësit autoritar bjellorus, Alyaksandr Lukashenka.

Në mbledhjen e ekzekutivit të mbajtur të mërkurën, u tha se Kosova do të zbatojë sanksionet e vendosura nga Këshilli i Bashkimit Evropian.

Zëvendësminsitrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi, tha se të gjitha masat kufizuese janë ndërmarrë në koordinim me Shtetet e Bashkuara, Bashkimin Evropian dhe Kanadanë.

“Duke pasur gjithnjë qëllim promovimin dhe mbrojtjen e paqes, demokracisë dhe të drejtave të njeriut kemi marrë një vendim që do të kontribuonte në vazhdimësi të bashkëpunimit të ngushtë me SHBA-në, BE-në dhe partnerët ndërkombëtarë”, tha gjatë mbledhjes zëvendësministrja për Punë të Jashtme dhe Diasporë, Liza Gashi.

Në sanksione përfshihet ngrirja e aseteve në Republikën e Kosovës, ndalimi i udhëtimit për individët e sanksionuar si dhe ndalimi që individët dhe entitetet në Republikën e Kosovës që të vendosin fonde në mënyrë direkte apo indirekte për individët dhe entitetet e sanksionuara.

Nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës nuk kanë konfirmuar për Radion Evropa e Lirë nëse individët dhe entitetet e sanksionuara kanë asete në Republikën e Kosovës.

Bashkimi Evropian në dhjetor të vitit të kaluar kishte vendosur pakon e pestë të sanksioneve ndaj individëve dhe entiteteve të lidhura me Lukashenkan.

Lukashenka pretendon se ka fituar zgjedhjet e gushtit të vitit 2020, pretendim që është kundërshtuar nga opozita. Pakënaqësitë rreth manipulimit të rezultatit zgjedhor nxitën protesta masive në Bjellorusi, të cilat u shtypën me forcë nga regjimi i Lukashenkas.

Sanksionet e fundit të BE-së dhe Kosovës po ashtu kanë të bëjnë edhe me nxitjen e një krize me migrantë në kufijtë mes Bjellorusisë dhe shteteve të BE-së në fundin e vitit të kaluar./REL


Shtuar 9.02.2022 17:10