Lajçak: Nuk jemi të interesuar të formojmë një “Republikë serbe” në Kosovë

Përfaqësuesi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, kanë thënë njëzëri se nuk do të imponojnë asnjë model të Asociacionit me pushtet ekzekutiv. Madje emisari i BE-së tha se nuk janë të interesuar të formojnë një “Republikë Serbe” në Kosovë.

Megjithatë, në një konferencë të përbashkët për medie, dy emisarët thanë se Kosova ka marrë përsipër një zotim dhe duhet të gjejë modele të zbatojë.

“Nuk është e thënë që të jenë modele që dëmtojnë sovranitetin e Kosovës. Duhet të gjinden modelet dhe implementohen. Nuk është qëllimi që të imponohet diçka. Është besim i yni që vendet në Ballkanin Perëndimor, që të gjitha vendet të njohin njëri-tjetrin dhe t’i bashkohen Bashkimit Evropian”, tha Escobar.

Më konkret për këtë temë u shpreh, Lajçak.

“Asociacioni është vazhdimisht temë e dialogut. Kosova është palë e barabartë në dialog, asgjë nuk mund t’i imponohet Kosovës. Askush nuk dëshiron një ‘Republikë serbe’ në Kosovë. Por keni një zotim që keni marrë, mos u frikësoni për diçka që nuk ekziston dhe dilni me qëndrime”, tha ai.


Shtuar 2.02.2022 09:46