Viktimat të gjithë nga Kukësi! Nga përplasja me “Ford-in” te rënia në lumë, si ndodhi aksidenti tragjik në Elbasan

Ky muaj ka nisur me një ngjarje tragjike. Rreth orës 09:10 të mëngjesit në aksin rrugor “Kthesa e Murrashit” është shënuar një aksident i rëndë.

Si ndodhi aksidenti?

Një mjet tip “ML” është përplasur me një makinë tjetër tip “Ford. Për pasojë njëri prej tyre ka rënë në lumin Shkumbin.

Në mjetin “ML”që ra në lumë ndodheshin 5 persona, dhe fatkeqësisht 3 prej tyre kanë humbur jetën, ndërsa 2 të tjerët janë shpëtuar.

Të shpëtuar janë shoferi, një pasagjere dhe një fëmijë, ndërsa viktimat janë gjetur në momentin kur ekskavatori ka nisur punën për nxjerrjen e makinës nga uji. Në atë moment, një nga trupat e ka marrë rrjedha e lumit, kurse dy trupat e tjerë janë gjetur në makinë. Mësohet se ata janë nga Kalimashi i Kukësit.

Viktimat janë Elmi dhe Elona Keqa, 53 dhe 35-vjeç, gjithashtu edhe shtetasi Elis Sulmataj, 18-vjeç.

Të lënduarit janë Elisiado Keqa rreth 10 vjeç dhe Ambra Halili rreth 20 vjeç.

Dëshmitari:

Ndihmën e parë familjes fatkeqe ia kanë dhënë banorët e zonës por vetëm dy prej tyre u nxorën të gjallë. Një prej tyre tregon se kanë arritur të nxjerrin djalin që i mbijetoi tragjedisë për shkak të peshës së lehtë. Ai shprehet se është hera e tretë që ndodh një aksident këtë vend, ndërsa shtoi se barriera mbrojtëse ishte prishur prej dy muajsh.

“Erdha me vrap. Në atë kohë nuk pati njeri vërdallë. Shkuam atje. Vetëm atë djalin nxorëm se ishte peshë e lehtë. Tjerët nuk i nxorëm dot. Di se janë tre të vdekur. Gruaja doli e dyta pas djalit. Ishte 8 metra poshtë, Duheshin shkallë të gjata.

Kemi mbajtur njëri tjetrin mezi e kemi nxjerrë djalin. Edhe shoferi atje brenda ishte. Ikëm ne se erdhën ata. Më shpejt erdhi drejtori se ata. E treta herë që ka ndodhur në këtë vend. Ka një dy muaj që është prishur barriera. Ata nuk marrin masa. Se duhet të merrnin masa. E prishur ka dy muaj që është prishur”, tha ai.

Njoftimi i Policisë:

Më datë 01.02.2022, rreth orës 09:10, në aksin rrugor Elbasan-Librazhd, automjeti tip “Ford”, me drejtues shtetasin S. GJ., 32 vjeç, banues në fshatin Floq, Librazhd, është përplasur me mjetin tip “Benz”, i cili ka dalë nga rruga dhe ka rënë në lumin Shkumbin.

Shërbimet e Policisë, pas njoftimit të marrë, kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, bashkë me shërbimet e zjarrfikëses.

Si pasojë e aksidentit janë plagosur rëndë shtetasit A. H., rreth 20 vjeçe dhe E. K., rreth 10 vjeç, të cilat janë transportuar menjëherë në spital, për ndihmë mjekësore.

Pas ndërhyrjes së zjarrfikësve dhe të punonjësve të Policisë, në kushte shumë të vështira, pas disa orësh u bë e mundur që të nxirren pa jetë nga mjeti që kishte rënë në mes të lumit, shtetasit E. K., 52 vjeç, E. K., 34 vjeçe dhe E. S., 18 vjeç.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe përcaktimin e shkakut të aksidentit. /albeu.com

 

 


Shtuar 1.02.2022 12:00