Shpëtoi 5 herë nga duart e policisë, kush është ”i forti” i Selenicës që mori ”ultimatumin” e OFL-së

“Forca e Ligjit” dje zbriti në Vlorë, ku dorëzoi kërkesat me shkrim për deklarimin e pasurisë në adresën e 4 personave që kanë pasur dhe vijojnë të kenë probleme me drejtësinë.

Policia njoftoi dje se, si subjekte të ligjit special, u është kërkuar vetëdeklarim pasurie shtetasve: Edison Begaj, banues në Vlorë, i cili rezulton të jetë subjekt i Aktit Normativ, pasi Gjykata e Apelit të Krimeve të Rënda Tiranë e ka dënuar përfundimisht me 7 vite e 6 muaj burgim, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e municioneve luftarake”; Elton Çobo, banues në Vlorë, i cili rezulton të jetë subjekt i Aktit Normativ, pasi është dënuar në Itali për veprën penale “Trafikim i lëndëve narkotike” dhe është bërë njohja e vendimit penal nga Gjykata e Vlorës, në vitin 2019; Tesi Basho, banues në Vlorë, i arrestuar dhe nën hetim për veprën penale “Shtrëngim për dhënie të pasurisë”; Luan Kanani, banues në Vlorë, subjekt i Aktit Normativ, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë e ka dënuar me 5 vite burgim, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotikëve”.

TESI BASHO

Pas 5 operacioneve të dështuara të forcave speciale, më 16 tetor të vitit të kaluar RENEA arriti të “mbërthente” në Selenicë të Vlorës, një të shumëkërkuar, të dënuar me burgim të përjetshëm në Itali, që ishte arratisur nga burgu.

Ishte pikërisht Tesilvan Basho, i njohur si “Tesi”, që vitet e fundit, falë edhe informatorëve që kishte në Policinë Lokale, kishte kthyer duarbosh forcat RENEA, që ishin nisur disa herë për ta arrestuar. Në operacionin e fundit, atë të para dy viteve, forcat speciale i ishin afruar shumë vendit ku ai fshihej, por në çastet e fundit ai arriti të largohej. Gjithmonë pati informacione se persona brenda radhëve të Policisë e informonin për të gjitha operacionet, por asnjëherë nuk u provua dot asgjë.

Gjykata e Torinos, Itali, në vitin 2016 e ka dënuar me burgim të përjetshëm, për veprat penale “Vrasje”, “Shfrytëzim prostitucioni” dhe “Mbajtja dhe transportimi pa leje i armëve të zjarrit”. Më datë 24.01.2008, ky shtetas ka vrarë me armë zjarri dy shtetase që ushtronin prostitucion në qytetin e Torinos, Itali, njërën prej të cilave e shfrytëzonte për prostitucion. Shtetasi Tesi Basho në 2016 është arratisur nga burgu i Rebibos në Itali.

Gjithashtu u ekzekutua vendimi i Gjykatës së Rrethit Vlorë, i vitit 2019, e cila ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg” për shtetasin Tesi (Tesilvan) Basho, për veprat penale “Armëmbajtja pa leje”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Kultivimi i bimëve narkotike”.

TRE TE DENUARIT

Më 30 tetor të vitit 2009 u ekstradua nga Italia shtetasi Edison Begaj, që, sipas Policisë, ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, më 11 dhjetor 2008, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg”, për kryerjen e veprës penale “Trafikim lëndësh narkotike” dhe “Trafikim të armëve dhe municioneve luftarake”.

Në njoftimin zyrtar të Policisë në atë kohë, sqarohej se Begaj ishte i dyshuar për 5 armë zjarri automatike dhe një sasi prej 284 kg bimë narkotike të kapura në fshatin Dermenas të Fierit më 19.02.2009. Ndërsa personi tjetër që ka marrë letër nga OFL, Elton Çobo, është arrestuar më 16 shkurt të vitit 2017 në Vlorë, pasi ishte shpallur në kërkim nga Italia për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike, kryer në bashkëpunim”. Ai ishte arrestuar në Leçe, në kuadër të operacionit policor “Black & VVhite”, që u finalizua në shtator të vitit 2011, pas gati 5 vjet hetimesh.


Shtuar 19.05.2020 14:17