Cilat janë vendet që nuk kanë nisur ende vaksinimin kundër Covid-19?

Sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, sot janë vetëm dy vende në të gjithë botën, të cilat nuk kanë nisur ende vaksinimin kundër Covid: Korea e Veriut dhe Eritrea. Autoritetet e Koresë së Veriut, vazhdojnë të pretendojnë se pandemia nuk ka mbërritur asnjëherë në vend.

Ndërsa në Eritre, njësoj si në pjesën më të madhe të vendeve të kontinentit afrikan, po përjetohet vala e katërt e pandemisë por autoritetet e vendit nuk duan të bashkëpunojnë me organet e asistencës ndërkombëtare.

Në muajin shtator regjimi koreano-verior i diktatorit Kim Jong Un, refuzoi 3 milion vaksina kineze Sinovac që iu ofruan nga UNICEF në kuadër të programit Covax, që ka si objektiv pajisjen me vaksina të vendeve më të varfëra. Koreja e Veriut u përgjigj se vendet e tjera kishin më shumë nevojë për ato vaksna. Dhe në korrik kishte refuzuar 2 milion doza Astrazeneca, për shkak të efekteve anësore, si dhe disa doza të vaksinës ruse Sputnik V.

Për të shmangur përhapjen e rasteve, regjimi koreano-verior vendosi të mbyllë kufijtë e vendit duke hequr dorë dhe nga shkëmbimi i mallrave me Kinën – e vetmja ekonomi e madhe që ka marrëdhënie të mira me Korenë e Veriut./albeu.com/


Shtuar 15.01.2022 16:52