Përjashtimi i Berishës, Basha: Vendosi të sillej jo si politikan, por si kreu i një grupi kriminal

Kreu i PD-së Lulzim Basha në një intervistë për ABC ka folur në lidhje me vendimin për përjashtimin e Sali Berishës nga PD.

Basha tha se ka qenë një vendim unanim i Kryesisë.

Pyetje: Zoti Basha, mëngjesin e djeshëm në orën 03:30, ka përfunduar mbledhja e Kryesisë dhe keni marrë ndoshta një nga vendimet më të rëndësishme për këtë forcë politike, keni përjashtuar liderin historik të kësaj force politike, jo vetëm nga strukturat drejtuese të Partisë Demokratike, por i keni hequr edhe atë kartën e thjeshtë të anëtarit. Si ishte për ju ky vendim nga ana njerëzore dhe nga ana politike? Kujtojmë se Sali Berisha është njeriu që iu solli ju në 2005-ën në Partinë Demokratike.

Lulzim Basha: Ty, mua dhe këdo tjetër në këtë botë na sjell zoti, na rrit familja jonë. Në politikë futemi me vullnetin tonë dhe një nga përpjekjet kryesore të jetës time politike është t’i çliroj shqiptarët nga mentaliteti që të solli ky dhe të hoqi ai. Sali Berisha është përjashtuar me unanimitet nga Kryesia e Partisë Demokratike ditën pasi vendosi të sillej jo si politikan, por si kreu i një organizate kriminale antikombëtare, antiamerikane dhe provoi tentativën e  vrasjes të një grupi drejtuesish dhe anëtarësh të Partisë Demokratike në selinë e Partisë Demokratike pasi kishte nisur një fushatë të nxitjes së dhunës, të gjuhës së urrejtjes, të përçarjes së demokratëve për të shkatërruar Partinë Demokratike siç e paralajmëroi vetë që nëse Partia Demokratike nuk  do të kthehej në bunker për hallin e tij personal, ai do ta shkatërronte, nuk e meritonte të ekzistonte./albeu.com


Shtuar 12.01.2022 15:34