E thotë studimi: Omicron ndalon në fyt dhe mbron mushkëritë

Ndërsa numri i personave pozitivë me Covid po rritet në mbarë botën, kërkimet vazhdojnë për të kuptuar plotësisht se si funksionon varianti i ri Omicron.

Studimet e fundit arrijnë në përfundimin se Omicron duket se infekton më lehtë fytin dhe më pak mushkëritë, sesa variantet e mëparshme të SARS-CoV-2.

Kjo shpjegon si infektimin e madh dhe ashpërsinë e ulët. Kjo karakteristikë e fundit është theksuar në një studim të Afrikës së Jugut në fund të dhjetorit, i cili zbuloi një ulje prej 80% të numrit të shtrimeve në spital me Omicron në krahasim me variantet e mëparshme.

‘Mutacionet e ndryshme të Omicron mund të kenë ndryshuar aftësinë e tij për të infektuar qelizat,’ i tha ‘The Guardian’ Deenan Pillay, profesor i virologjisë në UCL. Varianti i ri duket se sulmon më shumë traktin e sipërm respirator, duke prekur qelizat e fytit.

Kur një virus shkon në fyt, ai është më i transmetueshëm. Por nëse është i aftë të infektojë indet e mushkërive, siç ishte rasti me virusin origjinal të SARS-CoV-2 dhe variantet e tij, është potencialisht më i rrezikshëm, por më pak i transmetueshëm.

Një studim i Grupit Kërkimor të Virologjisë Molekulare të Universitetit të Liverpool-it zbuloi se minjtë e infektuar me Omicron humbën më pak peshë, kishin ngarkesa më të ulëta virale dhe morën pneumoni më pak të rënda sesa ata të infektuar me Delta, një tjetër kërkim i kryer mbi kavjet doli në përfundime të ngjashme.

Ndërsa një studim nga Qendra për Kërkimin e Viruseve në Universitetin Glasgow zbuloi se Omicron ka ndryshuar mënyrën se si hyn në trupin tonë, duke shmangur mbrojtjen e dhënë nga dy doza të vaksinës, e cila, megjithatë, duket se, të paktën pjesërisht, është restauruar nga doza përforcuese.

‘Rezultatet e këtyre studimeve janë qetësuese, por ato në asnjë mënyrë nuk duhet të na bëjnë të humbasim vigjilencën’, paralajmëron James Stewart nga Universiteti i Liverpulit.

Por këto të dhëna të studimeve, ende nuk janë rishikuar dhe shqyrtuar nga shkencëtarë të tjerë.

Virusi është ende shumë i rrezikshëm për subjektet më vulnerabël dhe të moshuarit dhe aq më tepër për ata që nuk janë të vaksinuar, nëse është e vërtetë që vaksina nuk parandalon kontraktimin e sëmundjes, ajo redukton në mënyrë drastike rrezikun e formave të rënda ose fatale.


Shtuar 8.01.2022 15:01