Nga Tom Standage “The Economist”
Ndërsa 2021-i ishte viti kur bota e ndryshoi rrjedhën e pandemisë aktuale, viti 2022 do të mbizotërohet nga nevoja për t’u përshtatur me realitetet e reja, si në fushat e diktuara nga kriza (bota e re e punës, e ardhmja e udhëtimeve),por edhe me tendenca më të thella që po ripohojnë veten (rritja e Kinës, përshpejtimi i ndryshimeve klimatike). Ja cilat janë 10 çështjet dhe tendencat që duhen parasysh gjatë vitit të ardhshëm.
- Gara midis demokracisë dhe autokracisë
Zgjedhjet e mesit të mandatit në Amerikë, dhe kongresi i Partisë Komuniste të Kinës, do t’i kundërvihen qartazi sistemeve të tyre rivale politike. Cili do të jetë më i aftë për të ofruar stabilitet, rritje dhe inovacion? Ky rivalitet do të shfaqet në çdo aspekt, nga tregtia te rregullimi i teknologjisë, nga vaksinimet tek stacionet hapësinore. Ndërsa presidenti amerikan Joe Biden po përpiqet që ta grupojë botën e lirë nën flamurin e demokracisë, vendi i tij jofunksional dhe i përçarë, është një reklamë e keqe për synimet e tij.
- Nga një situatë pandemike në një situatë endemike
Pilulate reja antivirale, trajtimet e përmirësuara me antitrupa, dhe më shumë vaksina anti-Covid do të prodhohen në muajt në vazhdim. Për njerëzit e vaksinuar në botën e zhvilluar, koronavirusi nuk do të jetë më kërcënues për jetën. Por ai do të përbëjë ende një rrezik vdekjeprurës në botën në zhvillim. Nëse nuk do të shtohen vaksinat, Covid-19 do të jetë
vetëm një nga shumë sëmundjet endemike që prekin të varfrit, por jo të pasurit.
- Shqetësimet mbi inflacionin
Ndërprerjet e zinxhirit të furnizimit dhe rritja e kërkesës për energji, kanë rritur ndjeshëm çmimet. Drejtuesit e Bankave Qendrore thonë se kjo është e përkohshme, por jo të gjithë e besojnë këtë. Britania është shumë e rrezikuar nga stagflacioni, për shkak të mungesës së fuqisë punëtore pas Brexit, dhe varësisë së saj nga gazi natyror i shtrenjtë.
- E ardhmja e punës
Sot ka një konsensus të gjerë se e ardhmja është “hibride”, dhe se më shumë njerëz do të kalojnë më shumë ditë duke punuar nga shtëpia. Por ndërkohë ka shumë debate mbi detajet. Sa ditë, dhe cilat? Dhe a do të jetë më e drejtë kështu? Sondazhet tregojnë se gratë janë
më pak të prirura për t’u rikthyer në zyrë. Po ashtu ka debate mbi rregullat tatimore dhe monitorimin e punonjësve në distancë.
- Përplasja e re mbi midis qeverive dhe kompanive të teknologjisë
Entet rregullatore në Amerikë dhe Evropë janë përpjekur prej vitesh që të frenojnë gjigantët e teknologjisë, por ende nuk ia kanë dalë të frenojnë rritjen apo shtimin e fitimeve e tyre. Kina ka rrëmbyer flamurin në këtë aspekt, duke goditur fort kompanitë e saj të teknologjisë. Presidenti Xi Jinping dëshiron që ato të përqendrohen më shumë tek “teknologjia e thellë” e cila ofron avantazhe gjeostrategjike, dhe jo argëtim apo shërbime siç janë lojërat dhe blerjet online. Por a do të nxisë kjo inovacionin kinez, apo do ta dëmtojë dinamizmin e industrisë kineze?
- Shtimi i përdorimit të kriptomonedhave
Ashtu si të gjitha teknologjitë e reja, edhe kriptovalutat po tentohen që të mbahen nën kontroll, ndërsa entet rregullatore po shtrëngojnë rregullat. Edhe Bankat Qendrore po kërkojnë që të hedhin në treg monedhat e tyre dixhitale. Rezultati është një luftë me 3 fronte për të ardhmen e financave:midis atyre që operojnë me kriptomonedhat, kompanive më tradicionale të teknologjisë dhe bankave qendrore, e cila do të intensifikohet në vitin 2022.
7. Kriza e klimës
Edhe pse zjarret, valët e të nxehtit ekstrem dhe përmbytjet po bëhen më të shpeshta, një mungesë e habitshme urgjence dominon tek politikë-bërësit kur është fjala për marrjen e masave kundër ndryshimeve klimatike. Për më tepër, procesi i de-karbonizimit kërkon që Perëndimi dhe Kina të bashkëpunojnë midis tyre, në një kohë që rivaliteti i tyre gjeopolitik vetëm sa po forcohet.
- Probleme me udhëtimet
Aktiviteti po rritet me rihapjen e ekonomive. Por vendet që ndoqën strategjinë “zero-Covid”, si Australia dhe Zelanda e Re, po përballen me misionin e ndërlikuar të menaxhimit të tranzicionit në një botë në të cilën virusi është endemik. Ndërkohë, më shumë se gjysma e udhëtimeve të biznesit janë zhdukur përgjithmonë. Kjo është diçka e mirë për planetin, por
e keqe për turistët, udhëtimet e të cilëve subvencionohen nga udhëtarët e biznesit që bëjnë më shumë shpenzime.
- Gara në hapësirë
2022-i do të jetë viti i parë në të cilin më shumë njerëz do të shkojnë në hapësirë si pasagjerë me pagesë më shumë sesa punonjësit e qeverive, që do të transportohen në hapësirë nga kompanitë rivale të turizmit hapësinor. Kina do të përfundojë ndërtimin e stacionin e saj të ri hapësinor. Kineastët po garojnë se kush do të realizojë i pari filma në orbitë. Ndërkohë NASA do të përplasë një sondë hapësinore mbi një asteroid, në një mision të vërtetë që tingëllon si një film hollivudian.
- Futbolli politik
Lojërat Olimpike Dimërore të Pekinit dhe Botërori i Futbollit në Katar, do të na kujtojnë edhe njëherë se sporti mund ta bashkojë botën. Por shpesh edhe ngjarjet e mëdha sportive përfundojnë të jenë si ngjarje politike. Kështu priten protesta ndaj të dyja vendeve pritëse, edhe pse bojkotet nga ekipet kombëtare duken të pamundura. /abcnews.al