Lindën 12 djem dhe 2 vajza, Manastirliu viziton bebet e para të vitit 2022: Do jetë viti i fëmijëve

Mëngjesin e ditës së sotme, si dita e parë e vitit 2022, deri para pak momenteve në Tiranë, kanë ardhur në jetë 12 djem dhe 2 vajza.

Në traditën e përvitshme, Ministrja Ogerta Manastirliu ishte mëngjesin e sotëm pranë fëmijëve të parë të vitit 2022, ku shpërndau çekun e bebes për të porsalindurit, me urimin që ky vit të jetë i shëndetshëm dhe i begatë për të gjithë shqiptarët.

“Viti 2022 do të jetë viti i fëmijëve, i zbatimit të politikave dhe programeve të reja për fëmijët tanë. Do të vijojmë programin e kujdesit neonatal me investimet në maternitetet e reja të Beratit, Kukësit, investimin madhor në maternitetin “Mbretëresha Geraldinë” si dhe në maternitetin Koço Gliozheni. Investimet tona nuk do të ndalen”, tha Manastirliu.

Duke folur për vitin 2022 si vitin e fëmijëve, Ministrja e Shëndetësisë u shpreh:

“Politikat për mirërritjen e fëmijëve do të jenë akoma më shumë pjesë e politikave të zhvillimit të gjithë sektorëve, ndaj ky vit do jetë viti i fëmijëve. Siç e ka deklaruar Kryeministri Edi Rama, ky vit do të hapë një erë të re për fëmijët, sa i përket programeve shkollore dhe jashtë shkollore për fëmijët, nga programet për kulturën, artin dhe zejen, tek programet e reja në teknologji dhe inovacion. Nga ana tjetër, në politikat e reja shëndetësore dhe sociale, çelim këtë vit programin e kujdesit të syve për 300 mijë fëmijë; programi i mbështetjes së fëmijëve pa kujdes prindëror me trefishimin e ndihmës ekonomike për fëmijët jetimë; dyfishimin e ndihmës ekonomike për familjet me tre fëmijë nën 18 vjeç”, tha Manastirliu.

Duke folur për programin universal të bonusit të bebeve, Manastirliu u shpreh:

“Janë më shumë se 115 mijë fëmijë që kanë përfituar nga programi i bonusit të bebes që prej vitit 2019. Vetëm këtë vit mbi 40 mijë fëmijë e kanë marrë bonusin dhe ky program që mbështet të porsalindurit, do të vijojë”./albeu.com/


Shtuar 1.01.2022 12:47