Tifozët zbehin spektaklin në fushë, pamje për të ardhur keq nga Air Albania (VIDEO)

Në një derbi që pati gjithçka, nga golat, te rastet e shumta, penalltitë, agresiviteti e çdo element tjetër të një ndeshjeje futbolli, tifozët ishin pjesa e vetme që stonoi këtë mbrëmje në “Air Albania”.

Ndonëse mbështetja për skuadrat përkatëse nuk mungoi gjatë gjithë 90-minutave, flakadanët ishin ata që detyruan spikerin t’u tërheqë vëmendjen tifozëve që në minutën e dytë.

Më pas radhën e patën tymueset, që detyruan arbitrin të ndërpresë takimin në minutën e pestë dhe sërish në fillim të pjesës së dytë, megjithatë kulmi arriti në momentin e penalltisë së Partizanit.

Fansat bardheblu nuk ngurruan të nxjerrin në pah anën e tyre më të errët, duke thyer stolat dhe hedhur plastikat në fushë, teksa në këto momente arbitri thërret skuadrat në mesfushë dhe urdhëron rifillimin e lojës pas vetëm 5 minutash.

Të njëjtën sjellje bëjnë edhe tifozët e kuq pak çaste më vonë, teksa bilanci prapa portave të “Air Albanias” ishte vërtetë për të ardhur keq, me stola të shumtë të thyer, që zbehin disi atë spektakël që dhuruan skuadrat në fushë.

Tribuna e tifozëve “të kuq”…

Tribuna e tifozëve bardheblu…


Shtuar 23.12.2021 23:16