Përfundimi edhe i një Samiti tjetër të BE-së pa datë për Maqedoninë e Veriut ka nxitur përsëri opozitën të kërkojë zgjedhje të parakohshme parlamentare. VMRO-DPMNE-ja kërkon formimin e Qeverisë teknike në shkurt ose mars dhe zgjedhje në maj ose qershor.
“Kjo është po ashtu një mundësi e shkëlqyer për kryetarin e ri të LSDM-së i cili planifikon të jetë kryeministër i qeverisë së ardhshme të dalë dhe të përballet me qytetarët dhe të marrë legjitimitetin politik që do të marrë. Nëse fiton në ato zgjedhje, ta krijojë qeverinë e re. Në të kundërt gjithmonë do të mbesë në kujtesë fotografia kur i përkulet paraardhësit të tij Zoran Zaev”, Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së
Qeveri ekspertësh ose teknike dhe organizim të zgjedhjeve të shpejta kërkon edhe Aleanca për Shqiptarët.
“Nuk kisha dashur të bisedoj për data, javë ose muaj konkret por natyrisht që zgjidhja e vetme pas dështimeve të njëpasnjëshme, jo vetëm të procesit euro-integrues, por për shkak të dështimeve në menaxhim të krizave energjetike, ekonomike, shëndetësore dhe tragjedive që po na ndodhin, është e patjetër që sa më shpejt të bie kjo qeveri dhe vendi të organizojë zgjedhje të parakohshme parlamentare. Sigurisht që momentet e reja do të duhet të dakordohen përmes partive politike, por sa më shpejt, aq më mirë”, Elmi Aziri, Aleanca për Shqiptarët
Kreu i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski komentoi zërat për zgjedhjet e mundshme të Afrim Gashit kryeministër të Qeverisë teknike i cili njëkohësisht do të ishte edhe kryeministri i parë shqiptar. Ai tha se nëse Gashi mund të zgjidhë krizën ekonomike dhe energjetike dhe të zhbllokojë eurointegrimet, VMRO-ja do ta mbështesë. Me të njëjtin ton, edhe nga opozita shqiptare…
“Nëse nuk kanë 61, VMRO-DPMNE-ja është në dispozicion të bëhen 61 dhe t’i lejojmë z. Afrim Gashi ta zgjidhë krizën ekonomike dhe ekologjike në vend”, Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së
“Sigurisht, z. Mickoski ka parë kapacitet te z. Afrim Gashi për ta zgjidhur edhe problemin e bllokadës nga ana e Bashkimit Evropian dhe zgjidhjen e çështjeve ekonomike e shëndetësore, etj. dhe ka bërë një propozim të tillë. Sigurisht se ne do ta përkrahim”, Elmi Aziri, Aleanca për Shqiptarët
Të pyetur nëse Afrim Gashi ka pretendime për pozitën e kryeministrit, nga Alternativa me përgjigje;
“E falënderojmë z. Mickovskin për vlerësimin e tij për kryetarin Afrim Gashi, por Alternativa aktualisht është në një proces i cili vijon dhe ende nuk ka përfunduar. Në këtë periudhë nuk kemi asnjë arsye për ta ndryshuar agjendën dhe nuk mund të flasim për asgjë tjetër”, thonë nga Alternativa
Por, BDI-ja nuk do të heqë dorë nga e drejta ekskluzive për të propozuar kryeministrin e parë shqiptarë.
“Kur VMRO DPMNE-ja të marrin mandatin, në rast se i fitojnë zgjedhjet e ardhshme parlamentare në vitin 2024, pse jo, le të propozojnë shqiptar për mandatar të qeverisë së re dhe ne do ta mbështesim. Në rastin aktual, bëhet fjalë për marrëveshje koalicioni midis BDI-së dhe LSDM-së për 100-ditëshin e fundit para mbajtjes së zgjedhjeve ku taksativisht thuhet që kandidati për Kryeministër do të propozohet nga BDI, gjegjësisht nga z. Ali Ahmeti”, thanë nga BDI
LSDM-ja dhe BDI-ja për momentin nuk pranojnë zgjedhje të parakohshme parlaentare. Në komunikatën e përbashkët pas takimit Zaev-Ahmeti një ditë më parë thuhet se zgjedhjet e ardhshme do të jenë në vitin 2024. /alsat/