Një ngjarje jo fort e zakontë është regjistruar në Lezhë, kur dy grabitës që kishin hyrë në një banesë për të vjedhur janë “trembur” nga një ambulancë që kalonte rastësisht në zonë.
Ngjarja është regjistruar mëngjesin e djeshëm në fshatin Zejmen. Pasi kanë dëgjuar sirenën e ambulancës, grabitësit kanë kujtuar se kishte mbërritur Policia dhe për pasojë, janë larguar nga banesa.
Njëri prej tyre u kap nga banorët e zonës, ndërsa shoku i tij arriti të largohej.
Në pranga përfundoi Armand Zhejani, 23 vjeç, banues në Lezhë.
NGJARJA:
Në orën 08:30 minuta të mëngjesit të së martës 23- vjeçari, në bashkëpunim me një tjetër person, u fut për të vjedhur vilën trekatëshe të drejtorit të shkollës së mesme të fshatit, Zef Therçaj, sapo ky i fundit dhe familjarët kishin dalë për në punë. Por teksa kontrollonin për para e sende me vlerë brenda shtëpisë, dy hajdutët janë trembur nga një sirenë ambulance.
Duke dyshuar se ishte Policia, ata kanë dalë me shpejtësi për t’u larguar, duke mos marrë asgjë. Armand Zhejani dhe shoku i tij hajdut janë parë nga banorët e lagjes dhe vetë drejtori i shkollës, Zef Therçaj, përmes kamerave të sigurisë në celular.
Ata kanë dhënë alarmin dhe një pjesë e banorëve të fshatit janë vënë në ndjekje të dy hajdutëve që ishin të armatosur. Sapo ka parë hajdutët përmes kamerave, Therçaj ka marrë mësuesin e fizkulturës dhe rojën e shkollës dhe kanë shkuar drejt banesës.
Ka qenë mësuesi i fizkulturës dhe banorët e fshatit ata që kanë kapur një nga autorët e grabitjes në tentativë, ndërsa hajduti tjetër ka arritur të largohet, duke lënë pas një pistoletë, të cilën e hodhi në shkurre.
“Falë veprimeve të shpejta dhe informacioneve të dhëna nga banorët, shërbimet e Policisë kanë bërë të mundur neutralizimin, kapjen dhe vënien në pranga të njërit nga autorët e tentativës për të vjedhur, shtetasin A. Zh.
Ky shtetas, sapo ka konstatuar punonjësit e Policisë, ka tentuar ta fshehë duke e hedhur mes shkurreve armën e zjarrit tip pistoletë me krehër me fishekë, e cila u bllokua dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Në vijim të veprimeve hetimore, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Lezhë benë arrestimin në flagrancë të shtetasit A. Zh., 23 vjeç, banues në Lezhë. Shërbimet e Policisë Lezhë vijojnë kontrollet intensive për kapjen dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të autorit”, sqaroi Policia.
DËSHMITË:
“Isha duke pirë kafe në lokal bashkë me dy shokë të tjerë. Pamë drejtorin e shkollës që doli me vrap dhe na kërkoi edhe neve ndihmë.
Shkuam pas tij, duke e kuptuar çfarë kishte ndodhur. I hasëm në rrugë dy hajdutët, por njëri duke qenë se ishte me armë, arriti të largohet. Tjetrin e ndaluam dhe ia dorëzuam Policisë, e cila mbërriti menjëherë në fshat”, thotë një banor.
Vjedhjet e shtëpive janë kthyer në shqetësim për banorët e Zejmenit.
“Të vjedhin në mes të ditës është një ngjarje shumë e rëndë. I falënderoj shumë ata që e kanë kapur. Këtu në Zejmen vjedhjet janë kthyer në një shqetësim serioz. Ka të paktën 1 javë që po ndodhin thuajse çdo natë. Në këtë situatë jemi të frikësuar dhe mendoj që Policia duhet të jetë më vigjilente për të goditur elementët kriminalë të cilët veprojnë ditën e natën. Kjo do të thotë se nuk kemi shtet”, thotë një banor tjetër.
Veç 23- vjeçarit Armand Zhejani që u kap nga vetë banorët, ngjarjet e zbardhura nga Policia lokale në zonë janë të ulëta.
Ndërkohë, disa orë pas ngjarjes blutë bënë me dije se shërbimet e Policisë Lezhë, pas marrjes së njoftimit se në fshatin Zejmen, Lezhë, 2 shtetas kishin hyrë për të vjedhur në banesën e shtetasit Z. Th., kanë organizuar punën dhe kanë shkuar menjëherë në adresën e dhënë.
Materialet hetimore për rastin do t’i referohen Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme për veprat penale “Vjedhja, e mbetur në tentativë”, e kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”./Panorama/