DETAJET/ Atentati mes Laçit që i mori jetën ish-policit, shoqërohen 20 persona të dyshimtë

Vazhdojnë hetimet për atentatin në Laçi ku u vra shtetasi Xhelal Reçi, ish-polic. Burimet bëjnë me dije se policia e Kurbinit deri më tani ka shoqëruar mbi 20 persona, të cilët mund të kenë dijeni mbi ngjarjen.

Mësohet se të shoqëruarit që janë marrë në pyetje janë persona që mund të kenë dijeni për ngjarjen, persona me precedent penal, si dhe personat me të cilët dy djemtë e 60-vjeçarit kanë pasur konflikte vitet e fundit.

Ndërkohë burime bëjnë me dije se kamerat e sigurisë kanë filmuar të gjithë dinamikën e ngjarjes. Ka qenë pikërisht kamera e sigurisë së biznesit të familjes Reçi, por edhe ajo një  banke e nivelit të dytë që ndodhej pranë biznesit, kanë arritur të kapin të gjithë skenën e krimit.

Referuar grupit hetimor që kanë bërë kqyrjen e kamerave të sigurisë autorët kanë qenë 2, të cilët kanë qenë të dy të armatosur me pistoletë, por ndaj Xhelalit ka qëlluar vetëm një prej tyre. Autoret kanë qenë të maskuar me kapuç dhe maska kirurgjikale. Pas krimit ata janë larguar me mjetin tip “Toyota”, i cili i priste ato jo më shumë se 10 m larg, biznesit të viktimës.

 


Shtuar 2.11.2021 09:26