Vetëm 2% e pasurisë së Elon Musk mund të zgjidhë problemin e urisë në botë

Një grup i vogël individësh super të pasur mund të ndihmojë në zgjidhjen e problemit të urisë në botë me vetëm një fraksion të vlerës së tyre neto. Të paktën, kështu thotë drejtori i Programit Botëror të Ushqimit të Kombeve të Bashkuara.

“Miliarderët duhet të bëjnë diçka tani, vetëm një herë”, tha David Beasley në një intervistë në CNN’s Connect the World me Becky Anderson që u transmetua të martën – duke përmendur veçanërisht dy njerëzit më të pasur në botë, Jeff Bezos dhe Elon Musk. “6 miliardë dollarë për të ndihmuar 42 milionë njerëz që do të vdesin nëse nuk reagojmë. Nuk është e komplikuar,” shtoi ai.

Shefi ekzekutiv i Tesla-s, Musk ka një vlerë neto prej afro 289 miliardë dollarësh, sipas Bloomberg, që do të thonë se Beasley po kërkon një dhurim prej vetëm 2% të pasurisë së tij. Vlera neto e miliarderëve amerikanë është pothuajse dyfishuar që nga fillimi i pandemisë, duke shkuar në 5.04 trilionë dollarë në tetor.

“Një ‘stuhi e përsosur’ e disa krizave, si ndryshimi i klimës dhe pandemia Covid-19, do të thotë që shumë kombe po trokasin në derën e urisë”, tha Beasley.

Gjysma e popullsisë së Afganistanit, 22.8 milionë njerëz, përballet me një krizë akute urie, sipas një raporti të WFP të publikuar pak ditë më parë. Papunësia e shfrenuar dhe kriza e likuiditetit do të thotë se vendi po kalon në prag të një krize humanitare dhe 3.2 milionë fëmijë nën moshën 5 vjeç janë në rrezik, sipas raportit.

Një sërë raportesh të reja nga administrata Biden lëshuan një paralajmërim të ashpër javën e kaluar: Efektet e ndryshimit të klimës do të jenë të gjera dhe do të përbëjnë probleme për çdo qeveri.

“Për shembull, merrni Shtetet e Bashkuara dhe rajonin në Amerikën Qendrore, Korridorin e Thatë, Guatemalën, Hondurasin, El Salvadorin dhe Nikaraguan — vetëm në atë zonë,” tha Beasley të martën. “Ne po ushqejmë shumë njerëz atje poshtë dhe klima po ndryshon me uragane dhe përmbytje të shpejta; është thjesht shkatërruese.”

Në Etiopi, WFP vlerëson se 5.2 milionë njerëz kanë nevojë urgjente për ndihmë ushqimore në rajonin Tigray. Organizatat humanitare si WFP kanë luftuar për të siguruar furnizime për ata në nevojë në rajon, duke e komplikuar krizën.

“Nuk e di se nga e marrin ushqimin”, tha Beasley në intervistën e gjerë. “Na ka mbaruar karburanti. Na kanë mbaruar paratë sa i përket pagesës së njerëzve tanë, po na mbarojnë paratë dhe nuk mund t’i futim kamionët tanë.”


Shtuar 1.11.2021 12:44