“Open Balkan” mbërrin në Fletoren Zyrtare, zbulohen 5 objektivat e memorandumit mes tre vendeve

Është zyrtarizuar sot marrëveshja mes Vuçiç, Zaev dhe Edi Ramës në kuadër të nismës Open Balkan.

Janë përcaktuar pesë objektiva kyçe të memorandumit të cilat pritet të jenë edhe pikat e referimit për mbarëvajtjen e marrëveshjes.

Kreu i qeverisë shqiptare, Edi Rama, Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç dhe Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev kanë nënshkruar një memorandum mirëkuptimi për bashkëpunim, që është publikuar e detajuar në Fletoren Zyrtare.

Siç është bërë me dije disa ditë më parë nga ministrja e Financës dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj ky memorandum parashikon forcimin e marrëdhënieve mes 3 shteteve veçanërisht në fushën e importeve, eksporteve, tregtimin e mallrave dhe lëvizjen e lirë të njerëzve.

“Autoritetet doganore të Palëve bashkëpunojnë në mënyrë që të sigurojnë kushtet për të thjeshtuar procedurën e tranzitit ndërmjet tyre, në masën më të gjerë të mundshme”, thuhet në marrëveshje.

Objektivat e Memorandumit:
1) Rritja dhe forcimi i bashkëpunimit ekonomik ndërmjet palëve.
2) Thjeshtimi i procedurave në lidhje me importet, eksportet dhe lëvizjen e mallrave.
3) Shkëmbimi i të dhënave ndërmjet autoriteteve të doganave dhe autoriteteve të tjera.
4) Promovimi, nëpërmjet zgjerimit të tregtisë së ndërsjellë, i zhvillimit harmoni të marrëdhënieve ekonomike ndërmjet palëve.
5) Eliminimi gradualisht i pengesave në tregtinë e mallrave./albeu.com


Shtuar 16.10.2021 16:27