Këshillat e Maldinit kanë përmirësuar Tomorin te Milani

Prej marrjes së mësimeve në artin e mbrojtjes nga Paolo Maldini deri te fitimi i ndeshjeve në footgolf së bashku me Zlatan Ibrahimovitin, qendërmbrojtësi Fikayo Tomori ka ndier gjithmonë peshën e historisë dhe një presion me fanellën e Milanit.

“Me nxjerrë më të mirën”, tha 23-vjeçari Tomori të mërkurën për mënyrën se si ndihet duke luajtur për kampionin e shtatëfishtë të Evropës. “Kjo lloj nevoje për të fituar është pa dyshim një forcë shtytëse”.

I lënë anash te Chelsea që ende nuk e di pse ndodhi, qendërmbrojtësi zgjodhi të ndezë karrierën e tij në fillim të vitit 2021 duke u transferuar në Itali, ku mbrojtja është e çmuar më shumë se çdo repart tjetër. Nëntë muaj më vonë ai është kthyer në Përfaqësuesen e Anglisë dhe ëndërron të luajë në Kupën e Botës vitin e ardhshëm në Katar.

“Ndihem vërtet rehat dhe i vendosur. Paraqitjet e mira te Milani më kanë rikthyer te Anglia”, tha ai.

Kanë kaluar gati dy vjet që kur Tomori fitoi ndeshjen e tij të parë dhe të vetme me Anglinë, duke luajtur në duelin kualifikues për “Euro 2020” kundër Kosovës. Në atë kohë, ai sapo ishte futur në ekipin e parë në Chelsea – ku ai kaloi përmes sistemit të akademisë – nën trajnerin e atëhershëm Frank Lampard dhe po tregonte llojin e temperamentit dhe talentit të nevojshëm për të qenë një lojtar i rregullt në një nga klubet më të mëdha të Anglisë. Sidoqoftë, ai humbi vendin e tij dhe luajti vetëm një lojë të Premier Leagues në gjysmën e dytë të sezonit 2020/21, dhe vetëm katër herë në të gjitha garat në gjysmën e parë të sezonit të kaluar. Lampard tha se Tomori kishte nevojë të stërvitej më shumë, kështu që ai e bëri këtë. Por asgjë nuk ndryshoi.

“Ishte një sfidë e vërtetë sepse unë stërvitesha shumë, por nuk e dija arsyen pse nuk luaja te Chelsea”, u shpreh Tomori.

Një transferim te Milani në janar e ka ringjallur atë. Mund të mos jetë Milani i vjetër, por madhësia e klubit dhe pritshmëria që sillet rreth stadiumit “San Siro” nuk i kanë shpëtuar Tomorit. Kthimi në Ligën e Kampionëve dhe duke luftuar përsëri për titullin e kampionit të Serie A, ka bërë që Milani të kthehet sërish, ndërsa Tomori është një pjesë rëndësishme e kësaj. Duke luajtur në vendin që krijoi mbrojtësit e mëdhenj si Franco Baresi, Fabio Cannavaro, Giorgio Chiellini dhe natyrisht Maldini, Tomori është i bindur se loja e tij është përmirësuar jashtëzakonisht. Sidomos me Maldinin që tani punon si drejtor teknik i Milanit dhe është i rregullt në stërvitjet e klubit. Tomori shpesh bisedon me Maldinin dhe kujton një bisedë të thelluar që e patën në prill, kur ai ishte i huazuar dhe ende nuk e kishte bërë transferimin e tij të përhershëm.

“Kur ai po fliste me mua, unë isha i befasuar, sepse nuk besoja se po merrja instruksione nga Maldini. Ekziston një lloj presioni duke e ditur se ai është atje çdo ndeshje, stërvitje dhe si mbrojtës unë dua t’i bëj përshtypje atij. Kur ai thotë diçka, unë e dëgjoj me vëmendje, sepse është legjendë”, pranoi Tomori, i cili ka thënë se tashmë ka mësuar shumë gjëra nga Maldini. “Ai më tha ta rregulloj pozicionin tim të trupit dhe të jem inteligjent”.

Ekziston një tjetër futbollist i madh në ekipin e Milanit që e ndihmon shumë Tomorin. Është sulmuesi Ibrahimoviq, një suedez që flet mirë anglisht dhe që ka qenë një zë inkurajues për Tomorin gjatë nëntë muajve të fundit. Trajneri i Anglisë, Gareth Southgate, tha se ai ka qenë duke ndjekur Tomorin dhe i kanë pëlqyer paraqitjet e tij të fundit kundër Liverpoolit në Ligën e Kampionëve dhe të Juventusit në Serie A. Ai pritet të jetë startues te Anglia në ndeshjet e këtij muaji, ndaj Andorrës dhe Hungarisë, pasi mungon Harry Maguire që është i lënduar.


Shtuar 7.10.2021 08:47