E shkarkoi Rama apo u dorëhoq? Bledi Çuçi zbulon prapaskenat e largimit të Ardi Veliut

Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi nuk pranoi që të jepte sot emrin e drejtorit të ri të policisë së shtetit, edhe pse e pranoi që Gledis Nano është një nga kandidaturat për të zëvendësuar Ardi Veliun në krye të bluve.

Çuçi tha se nesër do të ketë një mbledhje qeverie, ku do të bëhet më pas publik dhe emri i drejtorit të ri të policisë së shtetit.

“Ta lëmë më mirë nesër, që të kemi lajme dhe për nesër. Nesër mbledhim qeverinë, zoti Nano është një nga kandidaturat”, u shpreh Çuçi.

Ndërkohë që duke folur për dorëheqjen e Ardi Veliut, Çuçi tha se ajo ishte e gjitha me vullnetin e tij të lirë.

“Absolutisht dha dorëheqjen, jemi në fillimin e një mandati të ri, ai ka menduar dorëheqjen. Ka ushtruar një mandat të suksesshëm sipas meje. Media u mor me një batutë që u nxor nga konteksti. Edhe shprehja që unë përdora ishte rrjedhojë e një reagimi.

Nuk kemi të bëjmë me shkarkim, unë nuk e di si ka qarkulluar lajmi për shkarkimin. Është e vërtetë që drejtori i përggjithshëm ka dhënë dorëheqjen dhe nuk ka pasur arsye për shkarkim, mandati i tij ishte i suksesshëm”, deklaroi ministri i brendshëm.


Shtuar 6.10.2021 09:10