Kryeministri Edi Rama ka deklaruar në “News24” se nuk ka futur asnjë element kriminal, ose me precedent penal në dijeninë e tij.
Kreu i qeverisë tha se listat e PS për këto zgjedhje janë hartuar pas një pune 2-vjeçare.
“Kam qenë i pari kryetar partie kur kam kërkuar që të sjellin dëshminë e penalitetit. Dhe të gjithë e kanë sjellë. Se kam ditur që; ‘ky ka këtë, dhe po e vë unë’. Pa vetëdije, unë nuk di gjë.
Atë proces, të vettingut, ne e kemi bërë gjithmonë. Ligji që kemi bërë ne është unikal, se ka asnjë vend i botës. Ai ligj shkon përtej të drejtës së rehabilitimit.
Faktet e ndodhura para afatit, bota i ka ‘fato non existe’. Mos të bëhemi më katolik se Papa. Nëse ka pasur raste, ato kanë ikur. Ata që gënjejnë, do të përballen. Di që ne kemi bërë maksimumin që listat tona të jenë përfaqësuese.
Ne kemi skuadrën më përfaqësuese me të gjitha skuadrat e viteve të kaluara. Kemi 2 vite që ne merremi me këtë. Në Vlorë, PD sjell një skuadër që nuk ka asnjë minoritar. Po si nuk sjell në atë qark një minoritar. S’ka asnjë me banim në Vlorë. Dhe janë atje në Vlorë disa, që janë përfaqësues, zero! Ça listash janë këto? Janë lista të bëra në gjumë.”, tha Rama.