Njëri goditi policin dhe tjetri punonjësin e IKMT-së, dy në pranga në Tiranë

Policia e Tiranës ka vënë në pranga dy shtetas pasi kanë dhuar dy punonjë për shkak të detyrës. Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 6 bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve: B. U., 60 vjeç, pasi dyshohet se duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur, ka kundërshtuar dhe goditur për shkak të detyrës punonjësin e Policisë Rrugore; A. M., 35 vjeç, pasi ka goditur për shkak të detyrës punonjësin e IKMT-së dhe i ka dëmtuar mjetin e punës. Në vijim të veprimeve janë proceduar në gjendje të lirë dhe 3 shtetas pasi kanë kundërshtuar për shkak të detyrës punonjësin e IKMT-së.

Gjithashtu janë arrestuar dhe 5 të tjerë për vepra të ndryshme penale.

Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 1 bënë arrestimin në flagrancë të shtetases N. J., 42 vjeç, pasi i ka vjedhur një shumë parash shtetasit M. B.

Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 3 u bë arrestimi i shtetasit L. T., 29 vjeç, pasi në lokalin ku ishte i punësuar ky shtetas dyshohej se ushtronte aktivitetin e kundraligjshëm të lojrave të fatit.

Specialistët e Qarkullimit Rrugor bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit A. B., 44 vjeç, pasi u kap duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur.

Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 6 bënë procedimin në gjendje të lirë për shtetasit A. T., 19 vjeç dhe F. J., 16 vjeç, pasi gjatë një konflikti kanë goditur me sende të forta shtetasit E. B., 17 vjeç dhe F. N., 18 vjeç, të cilët ndodhen në spital, jashtë rrezikut për jetën.

Materialet iu referuan prokurorisë, për veprime të mëtejshme./albeu.com


Shtuar 16.09.2021 14:54