Ditwn e sotme ministri në detyrë i Punëve të Jashtme të Shqipërise Gent Cakaj dhe ministri i jashtëm i Kosovës Glauk Konjufca kanë publikuar një deklaratë të përbashkët në të cilën thuhet se mbështesin bashkimin e partive shqiptare në Luginën e Preshevës për arritjen e një koalicioni të partive shqiptare në Serbi, para zgjedhjeve të prillit.
Mesa duket ky gjest shkriu pak “akujt” mes Tiranës zyrtare dhe Prishtinës pasi u ftohen pak kohët e fundit me rastin e projekt-idesë së minishengenit.
Deklaratë të përbashkët:
“Në cilësinë e drejtuesve të politikës së jashtme të Republikës së Kosovës dhe Shqipërisë nënvizojmë edhe njëherë rëndësinë e mbështetjes së koalicionit të partive politike shqiptare në Luginën e Preshevës.
Ky koalicion është thelbësor për ngritjen e frymës kombëtare dhe ruajtjen e të drejtave politike të shqiptarëve në Luginë.
Ndaj, ne nuk do të kursejmë asnjë përpjekje për ta mbështetur projektin e Luginës së Bashkuar deri në fund!”, thuhet në postimin e Konjufcës në Facebook.