Kryeministri Edi Rama ka shpjeguar lehtësimin e masave kundër koronavirusit, ndërsa ka theksuar se nga data 18 do të hapen lokalet në të gjithë vendin.
Rama tha këtë mbrëmje në “Opinion” se Tirana është “zonë e kuqe” dhe se orari i lëvizjes do të vijojë të jetë deri në orën 17: 30.
Rama paralajmëroi se në rast se nuk respektohen masat, nuk duhet të çuditemi që Tirana pas një jave të jetë një zonë e mbyllur totalisht.
Nga e hëna si do lëvizin shqiptarët?
“Rreziku sot është i madh sepse po hapemi, ne e kemi hapur vendin në një masë të madhe. Kemi disa zona që kanë regjim të kufizuar. Jam shume i paduruar të shikoj numrat sot, nesër, pasnesër. Tirana do të mbetet zona e kuqe përsëri për shkak nuk japin ende indikacionin që të jetë zona e gjelbër.
Por, brenda kësaj zone të kuqe lehtësimi është i madh. Të shikojmë analizat sot dhe në vijim dhe do të jetë e fundit që do të çlirohet. Në datë 18 do të hapen baret në ambientet e jashtme. Orari do të mbetet po ai që është dhe për javën e ardhshme. Hapja e lokaleve, përbën një kërcënim më vete.
Nuk është vetëm Lulzim Basha që thyen ligjin në mënyrë spektakolare, ka shkelje ka thyerje dhe kjo ndodh në të gjithë botën. Unë u them shqiptarëve vetëm kaq, do vij dita që do të më gjykoni, por mos kërkoni të bëj të mirin kur faktet flasin ndryshe.
Dje është shkarkuar shefi i komisariat që mbulon zonën e parkut të liqenit sepse dje përtej orarit kishte një numër të papranuar njerëzish, është shkarkuar. Mos u çudisni që pas një jave Tirana nga zona e kuqe të kthehet në zonë e mbyllur fare. Nëse numrat vijojnë të flasin kështu, nuk ka shans që Tirana të kaloj në zonë të gjelbër. Në shumë zona të tjera nuk kemi shfaqje shqetësuese”, tha Rama.