Lajm i mirë: Tjetër lehtësi, nga nesër lejohen grumbullimet me 10 persona

Një tjetër lehtësi është dhënë për qytetarët shqiptarë edhe pse jemi në pandeminë e shkaktuar nga COVID-19.

Autoritetet shqiptare kanë vendosur të lejojnë grumbullimin e njerëzve deri në 10 vetë.

Pohimin e bëri sot, kryeministri Edi Rama në një mbledhje të Komitetit Teknik të Ekspertëve mbi situatën e COVID-19, ndërsa pak ditë më parë kishte deklaruar se grumbullimet do të lejoheshin deri në pesë persona.

Rama tha se deri në datën 18 maj pothuajse i gjithë biznesi do jetë rihapur, përveç transportit publik, për të cilin ende nuk ka një vendim për hapje.

“Plani është i qartë. Deri në datën 18 maj, ne do jemi mbi 90% të liruar. E vetmja gjë që mbetet shqetësim është transporti publik, me autobusë apo furgonë, sidomos ndërqytetës, por edhe në qytet. Po shikojmë akoma të gjejmë një formulë kompromisi lidhur me këtë. Nuk e dimë ende se si mund të jetë.

Ndërkohë që gjithë pjesa tjetër do të çlirohet ndjeshëm, kuptohet duke evituar grumbullimet me më shumë se 10 persona etj” – u shpreh kryeministri.


Shtuar 7.05.2020 19:37