Lojtari i Prishtinës e ka kaluar koronavirusin në Kosovë, por në Gjibraltar del pozitiv

FC Prishtina përmes një komunikate ka sqaruar gjithë atë që ka ndodhur në Gjibraltar, ku u vendos që të mos zhvillohej ndeshja mes Lincoln dhe FC Prishtinës.

Sipas njoftimit, janë autoritetet e Gjibraltarit që kanë marrë vendimin për anulimin e kësaj ndeshje.

Ajo që çuditë të gjithë, është se një futbollist i Prishtinës që një muaj më parë ka mposhtur koronavirusin në Kosovë, ka dalë pozitivë në Gjibraltar.

Njoftimi i Prishtinës:

Anulohet sërish ndeshja

Me vendimin e autoriteteve lokale të Gjibraltarit, përfundimisht ndeshja nuk do te zhvillohet.

FC Prishtina, ka qenë tërë kohën në kontakt me Delegatin e UEFA-s, autoritetet lokale dhe me selinë e UEFA-s. Nga autoritetet lokale, ekipit tonë iu është kërkuar të qëndrojë në karantinë dhe të mos lëvizë në asnjë mënyrë nga hoteli, kurse UEFA nuk ka marrë një vendim sot, përderisa vetëm ka përcjell vendimin e Autoriteteve Lokale të Gjibraltarit.

FC Prishtina, ka dërguar në UEFA edhe formacionin e mundshëm startues, pjesë e të cilit kanë qenë 10 futbollistë që kanë testuar negativ dhe 1 që sot ka testuar pozitiv, por që paraprakisht e ka kaluar COVID-19, para rreth 1 muaji, duke e bërë kështu shumë të çuditshëm testimin në Gjibraltar. Klubi ka shprehur gatishmërinë në UEFA që ndeshjen ta zhvillojë edhe pa zëvendësime, përkatësisht pa përfshirjen në lojë të asnjërit prej 7 futbollisteve tjerë që testuan sot pozitiv. Të gjithë 8 futbollistët që kanë testuar pozitiv në Gjibraltar, me t’ u kthyer në Kosovë, klubi do t’ i dërgojë në testim në laboratoret e licensuar nga UEFA, SynLab në Shkup, apo në Tiranë.

Skuadra kthehet sonte në Prishtinë.


Shtuar 22.08.2020 16:52