Koronavirusi mbylli shkollat por si do procedohet për provimet e maturës, ministrja propozon klasa virtuale

Ditën e sotme qeveria urdhëroi mbylljen e instirucioneve arsimore për një periudhë dy javore, por Ministria e Arsimit ka sqaruar se si do të vijojë procesi.

Shahini tha se orët e humbura mund të mos zëvendësohen për shkak të humbjes së orëve të mësimit edhe nga tërmeti i 26 nëntorit.

Shahini tregoi se nxënësit do të punojnë nga shtëpia nëpërmjet krijimit të klasave virtuale deri më datën 23 mars, datë kur do pritet një urdhër i dytë për vazhdimin apo jo të mësimit.

Besa Shahini: “Arsyeja e mbylljes së shkollave është frenimi i përhapjes së virusit. Është parandaluese dhe frenuese. Nuk ka nevojë për panik. Fëmijët dhe të rinjtë nuk janë të rrezikuar por mbartës. Ndaj bëhet pezullimi për të mos u përhapur virusit.

Për shkak të humbjes së orëve të mësimit nga tërmeti i 26 nëntorit, nuk do të zëvendësohen dot të gjitha orët e mësimit. Fëmijët do punojnë nga shtëpia. Materialet do ndahen në rrjetet sociale dhe do kalojnë nga drejtorët e shkollave tek mësuesit, të cilët do ia kalojnë prindërve dhe këta të fundit do ia përcjellin fëmijëve. Do përdoret edhe metoda e selfie video, kjo është një nga mënyrat. Nëse ka pyetje, mësuesi bën video dhe e dërgon nxënësve në grup. Do aplikohet që nesër. Do krijohen klasë virtuale. Nxënësit duhet të mësojnë në shtëpi. Kjo është masë ekstreme për ndalimin e përhapjes së virusit. Shkollat janë të mbyllura deri më 23 mars. Komunikimi me nxënësit duhet të bëhet përmes prindërve.”

Ndërkaq ministrja e Arsimit tha se nuk do të shtyhet datat për provimet e maturës shtetërore dhe se gjimnazistëve do u dërgohen materiale udhëzuese.

Shahni shtoi se po komunikon me të gjitha bashkitë për dezinfektimin e shkollave.

Besa Shahini: “Besoj që do bëhet dezinfektimi. Po bashkëpunojmë me bashkitë. Për maturën shtetërore nuk do shtyhet data. Do jetë e vështirë për maturantët që aplikojnë për universitet. Do mundohemi t’ia dërgojmë materialet që të punojnë nga shtëpia. Nëse i përcjellin udhëzimet tona do jenë më të përgatitur për shkak të botimit të pyetjeve. Linku do publikohet tani në faqen zyrtare në Ministrisë së Arsimit për udhëzimet.”


Shtuar 9.03.2020 12:52