Porsche 924 historike, që në vitin 1979 bënte pjesë në flotën e Policisë së Emirateve të Bashkuara Arabe, është restauruar në pamjen e saj origjinale. Atë vit, vetura u përdor për të eskortuar Mbretëreshën Elizabeth II gjatë vizitës së saj të parë zyrtare në vend.
Kjo ishte vetura e parë sportive që iu bashkua flotës federale të policisë në Emiratet e Bashkuara Arabe. Ajo shoqëroi Mbretëreshën Elizabeth II dhe bashkëshortin e saj, Princin Philip, gjatë vizitës në rajonin e Gjirit, vetëm shtatë vjet pas shpalljes së pavarësisë së Emirateve.
Të lidhura
None found

Ndër vite, Porsche 924 pësoi disa ndryshime në pamje dhe u shfaq me ngjyra të ndryshme. Në restaurimin e fundit, të kryer nga Porsche Centre Abu Dhabi dhe Al Ain, u zgjodh të riktheheshin ngjyrat dhe dizajni policor që vetura kishte pothuajse 50 vjet më parë.
Krahas rinovimit të plotë, specialistët riprodhuan mbishkrimet e policisë duke i pikturuar me dorë, për të ruajtur stilin e dikurshëm pa përdorur ngjitëse moderne.

Vetura iu dorëzua Policisë së Abu Dhabit në një ceremoni në Muzeun Al Maqta. Publiku do të mund ta shohë në festivalin “Icons of Porsche”, që do të mbahet në Dubai më 21 dhe 22 nëntor.







