Shqipe Mehmeti-Selimi ka udhëtuar në Hagë për të takuar bashkëshortin e saj, Rexhep Selimin, në 29-vjetorin e daljes publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje bëri të ditur se në këtë vizitë e shoqëroi edhe djali i tyre.
Përmes një postimi, ajo kujtoi 28 nëntorin e vitit 1997, kur në Llaushë të Skenderajt UÇK-ja u shfaq për herë të parë publikisht. Kjo datë përkon gjithashtu me Ditën e Flamurit dhe ditëlindjen e Adem Jasharit.
Të lidhura
None found
Mehmeti-Selimi shkroi se 29 vjet më parë, Rexhep Selimi, së bashku me Mujë Krasniqin, të cilin e cilësoi Hero të Lirisë, dhe Daut Haradinajn, të cilin e quajti Luftëtar të Lirisë, u bë zëri i shqiptarëve që luftonin për liri. Nga Haga, ajo tha se këtë përvjetor historik e kujton me krenari, duke e lidhur atë edhe me 28 Nëntorin e Gjergj Kastriotit Skënderbeut, Ismail Qemalit dhe Adem Jasharit.

Mesazhin e saj ajo e përmbylli me urimin: “Rroftë 28 Nëntori! Rroftë UÇK-ja! Rroftë kombi shqiptar!”
Rexhep Selimi ndodhet në paraburgim në Hagë që nga nëntori i vitit 2020, së bashku me Hashim Thaçin, Kadri Veselin dhe Jakup Krasniqin. Më 16 shtator 2026, Dhomat e Specializuara i dënuan në shkallë të parë katër ish-drejtuesit e UÇK-së. Thaçi dhe Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, Veseli me 18 vjet, ndërsa Selimi me 13 vjet. Vendimi nuk është përfundimtar, ndërsa afati për njoftimet e apelit përfundoi të premten, më 27 nëntor.






