Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka dalë me një sqarim publik pas raportimeve për zjarrin që përfshiu autotransformatorin AT2 në nënstacionin “Kosova B” më 26 nëntor 2026, në orët e para të mëngjesit, duke theksuar se ky objekt bën pjesë në infrastrukturën e transmetimit të menaxhuar nga KOSTT-i.
Në reagimin e saj, kompania shprehu shqetësimin për faktin që një pjesë e mediave përdorën pamje të objekteve dhe aseteve të KEK-ut për të ilustruar ngjarjen, çka sipas saj krijon te qytetarët një perceptim të gabuar për vendndodhjen dhe përgjegjësinë reale.
Të lidhura
None found
“KEK-u nuk i shmanget përgjegjësisë për veprimtarinë dhe asetet që menaxhon, por nuk mund të mbajë përgjegjësi për defekte apo incidente që u përkasin operatorëve të tjerë të sektorit energjetik”, thuhet në njoftimin zyrtar.
Kompania u ka kërkuar mediave dhe portaleve që të verifikojnë se cilit operator i përkasin infrastruktura dhe incidenti përpara publikimit, si dhe të zgjedhin imazhe që pasqyrojnë saktësisht natyrën dhe vendin e ngjarjes.
Në dokumentin e shpërndarë, KEK-u nënvizon se raportimi i saktë është detyrim profesional dhe se korporata nuk mund të fajësohet për çdo incident që ndodh në sistemin elektroenergjetik të Kosovës.
Sipas reagimit, është e papranueshme që KEK-u të kthehet në adresë përgjegjësie për çdo defekt, ndërprerje apo incident në sektorin energjetik, edhe në ato raste kur ngjarjet nuk kanë asnjë lidhje me asetet, veprimtarinë apo kompetencat e tij institucionale.
Në komunikatë rikujtohet ndarja e roleve në sektorin energjetik të Kosovës: KEK-u merret me prodhimin e energjisë elektrike dhe termike, si dhe me prodhimin e qymyrit; KOSTT-i është përgjegjës për transmetimin e energjisë elektrike dhe operimin e sistemit transmetues; KEDS-i kujdeset për shpërndarjen dhe mirëmbajtjen e rrjetit shpërndarës; KESCO merret me furnizimin e konsumatorëve dhe faturimin e energjisë elektrike; ndërsa ZRRE-ja rregullon dhe mbikëqyr sektorin, përfshirë licencimin dhe tarifat e rregulluara.
Këto përgjegjësi, thekson KEK-u, janë të përcaktuara me ligj dhe nuk mund t’i atribuohen automatikisht korporatës vetëm për shkak se ajo është një nga ndërmarrjet kryesore të sektorit energjetik.
Për rrjedhojë, çdo incident duhet të trajtohet dhe raportohet në përputhje me vendndodhjen, natyrën dhe përgjegjësitë reale të operatorit përkatës, pa përgjithësime dhe pa i veshur dikujt përgjegjësi institucionale që nuk mbështeten në fakte.
Veçanërisht shqetësues, sipas KEK-ut, është përdorimi i pamjeve të objekteve të korporatës për incidentin e ndodhur në autotransformatorin AT2 të nënstacionit “Kosova B”, i cili është pjesë e infrastrukturës së transmetimit të menaxhuar nga KOSTT-i.
Megjithëse ngjarja nuk ndodhi në një aset për të cilin KEK-u ka përgjegjësi operative, në disa raportime mediatike u përdorën pamje të objekteve dhe aseteve të korporatës, duke krijuar një lidhje të pasaktë mes incidentit dhe KEK-ut, theksohet në reagim.
Nga kompania konsiderohet e papranueshme që një incident i ndodhur në infrastrukturën e një operatori tjetër të ilustrohet me pamje të KEK-ut, pasi kjo e bën publikun të mendojë se rasti ka ndodhur në asetet e saj ose se ajo mban përgjegjësi për të.
KEK-u thekson se kjo praktikë raportimi duhet të marrë fund dhe nuk mund të vijohet me krijimin e një perceptimi publik ku çdo problem në prodhim, transmetim, shpërndarje apo furnizim i ngarkohet kësaj korporate, pa u bërë dallimi mes detyrimeve ligjore dhe operacionale të çdo subjekti.
Kompania respekton lirinë dhe pavarësinë editoriale të mediave, por kujton se informimi i drejtë kërkon verifikim faktesh, saktësi dhe përgjegjshmëri profesionale.
Ajo u bën thirrje të gjitha mediave dhe portaleve që gjatë raportimit për incidente, defekte apo ndërprerje në sektorin energjetik të kontrollojnë operatorin përkatës dhe të përdorin pamje që përfaqësojnë saktë vendin dhe llojin e ngjarjes. Kur përdoren fotografi ilustruese, kjo duhet bërë e qartë, për të shmangur çdo paraqitje që mund të krijojë perceptime të gabuara te opinioni publik.
KEK-u e mbyll deklaratën duke ripërsëritur se nuk shmang përgjegjësinë për veprimtarinë dhe asetet që administron, por nuk mund të mbajë përgjegjësi për defekte ose incidente që u përkasin operatorëve të tjerë të sektorit energjetik.
“Përgjegjësitë institucionale janë të ndara – raportimi i saktë nuk është zgjedhje, por detyrim profesional”, përfundon njoftimi i firmosur nga Departamenti për Marrëdhënie me Publikun dhe Komunitete i Korporatës Energjetike të Kosovës – KEK Sh.A.







