Luciano Spalletti ka sqaruar se kalendari i ngjeshur i Juventusit ndikoi në vendimin për ta përfshirë Edon Zhegrovën në formacionin fillestar ndaj Venezias.
Gjatë konferencës për media të mbajtur të mërkurën, trajneri italian tha se ritmi i ndeshjeve e bëri të nevojshëm rotacionin në skuadër. Zhegrova ishte mes futbollistëve që përfituan nga këto ndryshime.
Të lidhura
None found
Futbollisti 27-vjeçar e shfrytëzoi mundësinë dhe, në ndeshjen e së dielës ndaj Venezias, luajti për herë të parë një takim të plotë me fanellën e Juventusit. Ai dha edhe një asistim në fitoren 4-0 të “Zonjës së Vjetër”.
Spalletti shpjegoi se aktivizimi i Zhegrovës nga minuta e parë ishte pjesë e përpjekjes për të menaxhuar ngarkesën e lojtarëve, në një periudhë kur Juventusi zhvillon tri ndeshje brenda pak ditësh.
“Tri ndeshjet krijuan pikërisht mundësinë që Zhegrova të niste nga minuta e parë. Synimi është të bëjmë rotacionin e duhur, që skuadra t’i përfundojë të tria ndeshjet pa i rënduar tej mase futbollistët”, deklaroi Spalletti.
Të enjten, Juventusi do të luajë kundër Omonias në xhiron e pestë të fazës së ligës në Ligën e Evropës. Më pas, të dielën, do të përballet me Comon në kampionat.
Zhegrova po siguron gjithnjë e më shumë hapësirë te skuadra italiane. Në dhjetë paraqitjet e tij këtë edicion, ai ka shënuar dy gola dhe ka dhënë tri asistime.





