Një 34-vjeçare nga Marylandi i SHBA-së dyshohet se për vite me radhë u tha të afërmve, miqve dhe bashkëshortit se kishte kancer dhe po merrte trajtim mjekësor.
Prokurorët pretendojnë se Alexandra “Lexi” Thomas grumbulloi rreth 200 mijë dollarë përmes donacioneve që paraqiteshin si ndihmë për kurimin e saj. Sipas hetuesve, fondet dyshohet se u shpenzuan për veshje, udhëtime dhe argëtim, jo për mjekim.
Të lidhura
None found
Thomas u arrestua në Maryland më 19 nëntor dhe u ngritën ndaj saj dy akuza për vjedhje: njëra për një shumë deri në 10 mijë dollarë dhe tjetra për një shumë deri në 25 mijë dollarë. Në seancën e parë gjyqësore, më 23 nëntor, prokuroria tha se ajo kishte marrë afërsisht 200 mijë dollarë nga njerëz që mendonin se po ndihmonin një paciente me kancer.
The Baltimore Banner raportoi se autoritetet kanë biseduar deri tani me 22 persona, të cilët dyshohet se i dhanë para Thomas-it duke besuar rrëfimin e saj.
Gavin Hannan, bashkëshorti i saj, u njoh me pretendimet për sëmundjen dhe trajtimin e kancerit kur çifti u takua në vitin 2017. Sipas dokumenteve gjyqësore të siguruara nga revista People, Thomas i kishte thënë se ishte e vetmja e mbijetuar nga një provë klinike ku kishin marrë pjesë edhe 22 pacientë të tjerë, të cilët kishin vdekur.
Ajo pretendonte se, pasi ishte shëruar nga kanceri i gjakut, ishte prekur nga limfoma jo-Hodgkin si pasojë e trajtimeve. Dokumentet gjyqësore thonë se Thomas përshkruante historinë e saj si aq të rrallë, sa ndiqej nga një ekip me rreth 80 mjekë, përfshirë specialistin e njohur amerikan Anthony Fauci.
Hannan dhe Thomas u martuan në dhjetor të vitit 2019. Më pak se një vit më pas, gjatë pandemisë COVID-19, ai shkoi të jetonte te prindërit për 18 muaj, duke thënë se donte ta mbronte bashkëshorten nga rreziku i infektimit.
Në dokumentet gjyqësore, Hannan ka deklaruar se edhe kur banonin së bashku, Thomas largohej disa herë në muaj për prova klinike që pretendonte se po kryente. Ajo qëndronte larg për tre deri në katër ditë ose net dhe i thoshte se familjarët nuk lejoheshin të merrnin pjesë në këto procedura, ndërsa komunikimi duhej bërë përmes ekipit mjekësor.
Prokuroria dyshon se skema ishte përgatitur me kujdes. Sipas saj, Thomas krijoi një adresë elektronike të rreme dhe e paraqiti si adresën e një specialisti ndërkombëtar të njohur për trajtimin e kancerit. Ajo e përdorte për të komunikuar me familjarë e miq dhe për ta bërë historinë të dukej e besueshme.
Në një rast, sipas prokurorëve, ajo i shkroi një mikeje nga kjo adresë dhe e bindi të kalonte Krishtlindjet në karantinë me të, në vend që të festonte me familjen gjatë pandemisë COVID-19.
Motër e Thomas-it, Sabrina, filloi të dyshonte për diagnozën që në vitin 2020. Kjo shkaktoi përçarje në familje dhe Sabrina u distancua nga pjesëtarët e tjerë.
Hannan në atë periudhë e kishte mbrojtur bashkëshorten. Sipas hetimit të podcastit The LexiCON, ai dërgoi një e-mail ku thoshte se kishte folur me mjekët e saj dhe kishte vërtetuar diagnozën.
Megjithatë, hetimi pretendon se e-mailin e kishte shkruar vetë Thomas, duke përdorur llogarinë e bashkëshortit. Ajo, ndërkohë, organizonte aktivitete dhe mbledhje fondesh, si dhe shiste produkte promocionale, duke thënë se paratë do të përdoreshin për kujdesin e saj mjekësor.
Hannan nisi të dyshonte në gusht të vitit 2025, pas afro gjashtë vitesh martesë, kur filloi të mendonte se diagnoza mund të ishte e sajuar. Në kërkesën e tij gjyqësore ai tha se zbuloi që mjekët e përmendur prej saj nuk kishin të dhëna se Thomas kishte qenë ndonjëherë paciente e tyre.
Ai pretendoi gjithashtu se konferencat ku ajo thoshte se kishte folur ose nuk ishin mbajtur, ose nuk kishin regjistrime që vërtetonin praninë e saj. Sipas dyshimeve, fotografitë e publikuara në rrjetet sociale për të treguar përvojën e sëmundjes ishin marrë nga interneti, u përkisnin pacientëve të tjerë dhe ishin përpunuar.
Sipas bashkëshortit, Thomas kishte redaktuar edhe imazhe për mbledhjen e donacioneve, mes tyre një fotografi ku shfaqej pa flokë në GoFundMe. Në tetor të vitit 2026, Hannan paraqiti kërkesë për anulimin e martesës.
Pas daljes së dyshimeve, GoFundMe deklaroi se nuk pranon keqpërdorimin e platformës dhe shfrytëzimin e bujarisë së donatorëve.
Në një deklaratë për revistën People, kompania u shpreh: “GoFundMe nuk toleron aspak keqpërdorimin e platformës sonë dhe shfrytëzimin e bujarisë së donatorëve.”
GoFundMe bëri të ditur se do të bashkëpunojë me autoritetet në hetimet për personat e dyshuar për shkelje. Thomas është liruar pasi u vendos një garanci prej 10 mijë dollarësh. Në kohën kur u publikua raportimi, ajo ende nuk ishte deklaruar fajtore ose e pafajshme për dy akuzat.







