Katër persona janë arrestuar nga policia e Tiranës, pasi u kapën duke qarkulluar me armë zjarri në një automjet të blinduar. Mes të arrestuarve janë dy ushtarakë dhe një punonjës i Gardës.
Policia thotë se operacioni u zhvillua nga forcat “Shqiponja” dhe gjatë kontrollit të një automjeti tip “Audi”, në të cilin udhëtonin katër persona, efektivët zbuluan një pistoletë të fshehur në një çantë të zezë, të vendosur në pjesën e pasme të makinës.
Të lidhura
None found
Gjatë kontrollit fizik të drejtuesit të automjetit, 40-vjeçarit E. R., punonjës i Gardës së Republikës, iu gjet një tjetër armë zjarri pistoletë.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore, në pranga përfunduan E. R., 40-vjeç, punonjës i Gardës së Republikës, I. Sh., 28-vjeç, L. M., 42-vjeç, ushtarak, dhe E. S., 46-vjeç, ushtarak.
Përveç armës së gjetur në automjet, policia sekuestroi edhe një fenelinë të ngjashme me ato që përdoren nga uniformat blu, e cila dyshohet se mbahej nga 28-vjeçari I. Sh.
Ndërkohë, për pistoletën që iu gjet punonjësit të Gardës së Republikës, verifikimet po kryhen nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP).
Katër personat akuzohen për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
Njoftimi:
Qarkullonin me armë zjarri në automjet, vihen në pranga 4 shtetas, mes tyre 2 ushtarakë dhe një punonjës i Gardës së Republikës.
Shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” të DVP Tiranë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 1, gjatë kontrolleve të ushtruara pranë stadiumit “Arena Kombëtare”, kanë konstatuar një automjet të markës “Audi”, me të cilin qarkullonin 4 shtetas.
Gjatë kontrollit të automjetit të blinduar, në një çantë të zezë, të vendosur në pjesën e pasme të tij, u gjet një armë zjarri pistoletë.
Gjithashtu, gjatë kontrollit fizik të drejtuesit të automjetit, shtetasit E. R., 40 vjeç, punonjës i Gardës së Republikës, iu gjet një armë zjarri pistoletë.
Në përfundim të veprimeve të para procedurale, u bë arrestimi në flagrancë, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, i shtetasve E. R., 40 vjeç, punonjës i Gardës së Republikës, I. Sh., 28 vjeç, L. M., 42 vjeç, ushtarak, dhe E. S., 46 vjeç, ushtarak.
Arma e zjarrit e gjetur në automjet u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, së bashku me një fenelinë, si ato të policisë, që dyshohet se e mbante shtetasi I. Sh. Ndërsa, për armën e zjarrit që iu gjet gjatë kontrollit fizik punonjësit të Gardës së Republikës, po kryhen verifikime nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP).
Vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të rrethanave të rastit dhe përcaktimin e përgjegjësive ligjore të secilit shtetas.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.








