Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi sot se hartimi i Ligjit për Specialen do të fillojë gjatë kësaj jave, ndërsa procesi pritet të përfundojë me ndihmën e ekspertëve.
Ai foli për këtë çështje para mediave në ceremoninë e 27-vjetorit të themelimit të Shërbimit Korrektues të Kosovës. “Gjatë kësaj jave kemi thënë dhe po presim nga ekspertët që ta përmbyllin këto ditë”, u shpreh Kurti, transmeton KP.
Të lidhura
None found
Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka shprehur shqetësim për zhvillimet politike lidhur me plotësim-ndryshimet e Ligjit për Dhomat e Specializuara. Ajo ka paralajmëruar protesta gjithëpopullore nëse procesi zvarritet dhe nuk përmbyllet së shpejti.
Sipas organizatës, është e papranueshme që një çështje kaq e rëndësishme të vonohet për shkak të përplasjeve politike apo presionit të bashkësisë ndërkombëtare. Ajo u ka bërë thirrje Qeverisë dhe shumicës parlamentare të marrin përgjegjësinë dhe të mos lejojnë që vonesat të pengojnë përfundimin e procesit.
Veteranët kërkojnë që ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara të miratohen me procedurë të përshpejtuar, brenda afatit më të shkurtër të mundshëm sipas procedurave parlamentare dhe institucionale.
Më herët, Kurti kishte bërë të ditur se grupi punues përfshin institucionet përkatëse dhe partitë politike parlamentare, si dhe ekspertë juridikë të angazhuar për hartimin e dokumenteve.
Ai ka theksuar se përmbajtja e ligjit duhet të përgatitet me kujdes, në përputhje me Kushtetutën dhe legjislacionin e Kosovës, përpara se të dërgohet për diskutim dhe miratim. Kurti ka shtuar se qëndrimi i tij për Gjykatën Speciale nuk ka ndryshuar që nga pranvera e vitit 2015.







