Veprimtari Saim Tahiraj ka ngritur akuza të ashpra ndaj Partisë Demokratike të Kosovës në lidhje me qëndrimet e saj për Gjykatën Speciale, duke e cilësuar sjelljen e partisë si hipokrizi politike dhe lojëra që synojnë vetëm përfitime pushteti.
Në një shkrim të publikuar, Tahiraj ka sjellë në kujtesë protestat dhe trysninë që, sipas tij, ishte ushtruar mbi deputetët për të miratuar Ligjin për Gjykatën Speciale, duke vënë në dyshim ndryshimin e qëndrimit që PDK-ja ka bërë tani për këtë çështje.
Të lidhura
None found
Ai ka kritikuar ashpër veprimet e partisë, duke theksuar se këto zhvillime nuk janë gjë tjetër veçse lojëra politike, pasojat e të cilave po i mban mbi supe shteti i Kosovës.
Në postimin e tij të plotë, Tahiraj shkruan: “Hipokrizia politike me Gjykatën Speciale – kur Kosova bëhet viktimë e lojërave për pushtet! Sa ditë protestuat para Kuvendit të Kosovës, duke u bërë presion deputetëve që ta votojnë Ligjin për Gjykatën Speciale? Madje, i kërcënuat se do të ketë gjakderdhje, se do të kallet Kosova! Aty kishte persona të armatosur me bomba e ndoshta edhe me armë të tjera. “Do ta kallim Kosovën, do të ketë gjakderdhje!”
Ai vazhdon më tej me pyetje retorike: “Çfarë ndodhi tani? Pse fillimisht e kthyet ligjin për rishqyrtim? E tani, pse u tërhoqët krejtësisht? Çfarë fytyre keni të dilni përsëri para masës që e keni hipnotizuar me propagandën tuaj?”
Tahiraj thekson se kjo lojë e turpshme kërkon ndëshkim nga vetë elektorati i PDK-së. “Ju, o të pacipë, e dini edhe vetë se asgjë nuk mund të ndryshoni. Këto lojëra të ndyra po i zhvilloni vetëm për përfitime politike!” shkruan ai.
Në fund, ai shtron pyetjen nëse ata që i kanë mbajtur të hipnotizuar do t’u besojnë përsëri, apo nëse më në fund janë zgjuar nga kjo hipnozë e rrezikshme, duke përfunduar se “me këto lojëra tuaja të ndyra, faturën po e paguan, fatkeqësisht, shteti i Kosovës!”








