Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, i është drejtuar me një shkresë zyrtare Presidentes së Komisionit të Venecias, Marta Cartabia, përmes së cilës kërkon që raportuesit e këtij institucioni të shkojnë në Shqipëri për të diskutuar rekomandimet për projektligjin “Për financimin e partive politike” në kuadrin e reformës zgjedhore.
Letra mban datën 18 nëntor 2026 dhe në të Peleshi shpreh dëshirën që kjo vizitë të organizohet sa më shpejt, mundësisht brenda javës së ardhshme ose, si alternativë, në javën pasuese, në varësi të kalendarit të raportuesve.
Të lidhura
None found
Sipas tij, vizita do të lejonte shqyrtimin e rekomandimeve të përfshira në Opinionin e Përbashkët të Komisionit të Venecias dhe Drejtorisë së Përgjithshme për të Drejtat e Njeriut dhe Shtetin e së Drejtës të Këshillit të Evropës, i miratuar në qershor, si dhe një vlerësim të ecurisë së hartimit të projektligjit.
Në dokument theksohet se Komisioni i Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore, i ngritur me Vendimin nr. 74, datë 27 tetor 2025, të Kuvendit, e ka renditur si përparësi të parë hartimin e ligjit për financimin e partive politike, krahas plotësimit të rekomandimeve të mbetura të OSBE/ODIHR-it.
Në këtë kuadër, janë realizuar dy raunde konsultimesh me forcat politike, organizatat e shoqërisë civile dhe partnerët ndërkombëtarë. Pas këtyre takimeve, ekspertët e Komisionit kanë analizuar dhe integruar në projektligj sugjerimet dhe rekomandimet e ardhura nga Komisioni i Venecias, OSBE/ODIHR-i dhe shoqëria civile.
Duke iu referuar shkresës nr. 1842 Prot., datë 27 prill 2026, me anë të së cilës projektligji “Për financimin e partive politike” i ishte paraqitur Komisionit të Venecias për opinion, Peleshi e informon Cartabian për ecurinë e hartimit dhe shqyrtimit të këtij akti.
Në letër ai shpreh, në emër të Kuvendit dhe në cilësinë e kryetarit, vlerësimin për bashkëpunimin e vijueshëm dhe kontributin e vyer të Komisionit të Venecias në forcimin e institucioneve demokratike, në konsolidimin e shtetit të së drejtës dhe në përmirësimin e legjislacionit zgjedhor shqiptar.
Peleshi kërkon gjithashtu që, gjatë punës së mëtejshme për pasqyrimin e të gjitha rekomandimeve të Opinionit të Përbashkët, të organizohet një vizitë e raportuesve të Komisionit të Venecias në Tiranë. Qëllimi i saj do të ishte shkëmbimi i pikëpamjeve mbi progresin e arritur, sqarimi i rekomandimeve dhe garantimi që ato të reflektohen siç duhet në versionin e rishikuar të projektligjit.
Në përfundim, ai e falënderon Komisionin e Venecias për bashkëpunimin dhe mbështetjen e vazhdueshme, duke shprehur bindjen se ky kontribut do të ndihmojë në finalizimin me sukses të punës së Komisionit dhe në avancimin e mëtejshëm të legjislacionit zgjedhor në Shqipëri.








