Një aktivist që mori pjesë në protestën e sotme tha se Policia përdori forcë ndaj qytetarëve. Ai pretendoi se gjatë ndërhyrjes u goditën dhe u shoqëruan me forcë edhe gra e vajza që ishin pjesë e tubimit.
Gjatë një prononcimi për News24, aktivisti deklaroi se Policia prej kohësh po pengon qytetarët të mblidhen në bulevard për protesta paqësore. Sipas tij, ndërhyrjet e dhunshme synojnë të frenojnë reagimin qytetar, por nuk do t’ia dalin t’i ndalin protestuesit.
Të lidhura
None found
Ai u ndal veçanërisht te shoqërimi i grave dhe vajzave, duke thënë se disa prej tyre u morën nga Policia pa praninë e efektiveve femra dhe u goditën gjatë ndërhyrjes.
Aktivisti njoftoi se protestat do të mbahen çdo ditë, pavarësisht veprimeve të forcave të rendit. Ai u bëri thirrje shqiptarëve të marrin pjesë sa më shumë në tubimin e 28 nëntorit, që, sipas tij, duhet të shndërrohet në një festë të madhe të demokracisë dhe në një bashkim për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive.
“Kemi njoftuar për protestën, por prej kohësh Policia nuk i lejon njerëzit të mblidhen përballë bulevardit për të protestuar në mënyrë paqësore. Për një qeveri të korruptuar, përdorimi i dhunës ndaj qytetarëve të lirë është mjeti i fundit për t’i mposhtur, por nuk mund t’ia dalë.
Është ushtruar dhunë edhe ndaj grave e vajzave. Disa vajza janë shoqëruar pa praninë e policeve femra dhe janë goditur me forcë. Protestat do të vijojnë çdo ditë. U bëjmë thirrje të gjithë shqiptarëve të bashkohen në protestën dhe festën më të madhe të demokracisë më 28 nëntor.”







