Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës u ka kërkuar qytetarëve të mos konsumojnë një seri të qumështit VITA UHT me 3.2 për qind yndyrë, në përputhje me udhëzimet e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë.
Në njoftimin e publikuar më 17 nëntor, IKSHPK bëri të ditur se produkti është larguar nga tregu pasi testimet laboratorike vërtetuan praninë e aflatoksinës M1 në një sasi më të lartë se kufiri i përcaktuar.
Të lidhura
None found
Produkti i prekur është qumësht VITA UHT me 3.2 për qind yndyrë, i prodhuar nga ABRAZEN SH.P.K. Ai është shitur në paketim njëlitërsh, me datë prodhimi 18 korrik 2026 dhe afat përdorimi deri më 18 janar 2027.
Të dhënat e publikuara nga AUV tregojnë se analizat e realizuara në Austri kanë gjetur 0.065 mikrogramë aflatoksinë M1 për kilogram. Norma maksimale e lejuar është 0.050 mikrogramë për kilogram.
Sipas IKSHPK-së, aflatoksina M1 është një substancë toksike, ndërsa ekspozimi i përsëritur dhe i zgjatur ndaj saj mund të dëmtojë shëndetin, veçanërisht për shkak të ndikimit të mundshëm në mëlçi.
Instituti u ka bërë thirrje qytetarëve të zbatojnë këshillat e institucioneve përgjegjëse, duke nënvizuar angazhimin e tij për ruajtjen e shëndetit publik.






